Opozita e ç’bashkuar

Radari29.03.2016 17:16

Fundi i vitit 2014-të, shënoi një fillim të transformimit të madh të skenës politike në Kosovë. Brenda saj ndryshuan edhe elitat politike. Evoluimi i Isa Mustafës nga humbësi më i madh i zgjedhjeve në fituesin më të madh të tyre, padyshim që do të hyjë në histori.


Heqja dorë nga posti i kryeministrit si fitues i zgjedhjeve nuk ishte e lehtë as për Hashim Thaçin, i cili mori postin e zëvendëskryeministrit. Në skajin tjetër të skenës politike u gjenden Visar Ymeri i Vetëvendosjes, Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj i NISMA-s për Kosovën.


LAN-i i mbetur fillimisht ishte përçarë, por hidhërimi ndaj Isa Mustafës i ribashkojë sërish.


Hakmarrja ndaj Isa Mustafës fillojë sapo qeveria mbushi një muaj.  


Paralajmërimi i shefit të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, se “kena me ia nxi jetën Isa Mustafës” shumë shpejt mori formë. Ditët e Isa Mustafës si kryeministër ishin kryesisht të zeza dhe për nxirjen e tyre opozita përdori mjete të cilat tejkalonin imagjinatën e kosovarëve.


Albin Kurti, përdori atë që gjithmonë ishte viktimë e saj – gazin lotsjellës. Kështu seancat parlamentare u mbajtën nën tymin e gazit dhe një presioni kolektiv.


Përdorimi i taktikave të dhunshme nga Vetëvendosje nuk ishte diçka e re. Përdorimi i gazit lotsjellës nga ana e tyre ishte vetëm hapi i radhës logjik. Por, burim i gazit shumë shpejt u bënë të gjithë përfaqësuesit opozitarë.


AAK dhe NISMA, të përbërë nga komandantë që në të kaluarën kishin përdorë armë të rënda për të luftuar armikun, u çarmatosen. 


Në vend të tyre, ata filluan të përdorin filikaqa, vezë dhe gaz lotsjellës. Por, përdorimi i tyre si mjete për të luftuar kundërshtarët politikë do të ishte e pa imagjinuar vetëm pak vite më parë.


Transformimi i parë i tyre ishte në vitin 1999, ku nga komandantë u shndërruan në politikanë, që argumentet i përdornin si armë kryesore për të luftuar kundërshtarët politikë.


Pamjet, ku përfaqësuesit e këtyre partive gjuanin me gaz lotsjellës ishin të panatyrshme. Gjithashtu, edhe rikthimi i një vagabondizmi në sjelljet e tyre ishte i panatyrshëm.


Nga këto veprime, politikisht fitojë vetëm Vetëvendosja, pasi dhuna që nga fillimi ka qenë mjet i saj. Kurse, AAK dhe NISMA në agjendën e përbashkët politike për t’ia nxirë jetën Isa Mustafës filluan të humbasin shumë shpejt mbështetjen e vetë njerëzve të tyre.


Pas Blerim Shalës dhe Melihate Termkollit, AAK-në e kishin braktisur edhe Besnik Tahiri, Burim Ramadani, Laura Kryeziu. Por, derisa rënia e përkrahjes ndaj këtyre partive politike mund të shihej edhe në shumë matje të opinionit publik, atë si duket tek tash e kanë vërejtur edhe Haradinaj e Limaj.


Anulimi i protestës së 26 marsit shënon fillimin e përçarjes, por mbi gjitha shënon fillimin e luftës më të rëndë që ka para vetës po kjo opozitë. Ajo në mënyrë analoge është kthyer në vitin 2014, në periudhën e bllokut.

 

Konsolidimi i saj do të varet nga një marrëveshje e rëndë, pothuajse e paarritshme mes tyre: Kush do të jetë kandidati për kryeministër i opozitës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?


Listës dëshiron t’i prijë Ramush Haradinaj, përndryshe partia e tij do të ishte inekzistente. Por, të njëjtës listë dëshiron t’i prijë edhe Albin Kurti apo Visar Ymeri.


Koha do ta vërtetojë, por lufta e brendshme për kryesimin e listës do të jetë betejë dhjetëfish më e vështirës se nxirja e jetës së Isa Mustafës. Me pak fat, ne mund të bëhemi dëshmitarë të një të ashtuquajture tradhtie të radhës, të përmasave të Isa Mustafës, njëjtë si dy vite më parë. 

Rubrika "Radari" është hapësirë e komentimit të sjelljes politike dhe deklaratave kundërthënëse e të paargumentuara të politikanëve dhe figurave publike.

Lajmet më të lexuara

Republika Plus