Ngritja e tendave nga opozita, ushqim i iluzionit se Kosova nuk bëhet

Radari22.02.2016 10:57

Promovimi i frikës, zymtësisë dhe mos perspektivës është vetëm një element që opozita po e përdorë për të jetësuar kthimin në kohë. Gazi lotsjellës, përdorimi i dhunës në rrugë dhe ngritja e tendave e grevat në shesh, nuk janë instilacione për të shprehur pakënaqësinë politike, por ushqim i iluzionit se Kosova nuk bëhet.


Kërkesa e opozitës për një shtet me sovranitet, për një Kosovë tjetër, për Republikën e tretë është thirrje për rikthim të vitit 1999. Në këtë vit filloi vënia reale e themeleve të shtetit shumetnik të Kosovës. Një thirrje për të përmirësuar një gabim historik, sipas opozitës që bëri atë kohë elita politike.


Shtetndërtimi në Kosovë ishte bashkimi i aspiratave të shqiptarëve për një shtet sovran dhe projektimi gjeopolitik amerikan/perëndimor për ta mbështetur atë. Pra, një kombinim i vullnetit të popullit përbrenda dhe i mbështetjes amerikane nga jashtë. Mbi këtë koncept janë krijuar shumica e shteteve evropiane.


Por, koncepti është kundër parimeve dhe ideologjisë nacional-socialiste të Lëvizjes Vetëvendosje.


Ata kërkojnë një shtet që bazohet vetëm në vullnetin e popullit. Një pavarësi, ku ambasadori amerikan nuk ka rol në politikën e brendshme. Një pavarësi, me sovranitet të plotë, jo të deleguar nesër në Bashkimin Evropian.


Për të jetësuar shtetin e Albinit, Republikën e tretë, fillimisht duhet përmbysur shtetin e Ahtisaarit. Prandaj, gjithçka që është ndërtuar deri më sot duhet të kthehet kokëposhtë. Gjykata Kushtetuese, prokuroria, policia, presidentja, qeveria, partneriteti ndërkombëtar – të gjitha duhet të rrënohen.


Duhet bërë një shkëputje, një prerje, duhet të vendoset një krater ndërmjet shtetit të shpallur sovran më 17 shkurt 2008 dhe Republikës së Albinit. Rikthimi i opozitës në tenda, është vetëm simulim i vitit 1999, një tentim për rilindje, një ri-mishërim i ideologjisë së tyre në trupin tetëvjeçar të Republikës së Kosovës.


Një shtet imagjinar, kur prania amerikane është e panevojshme, ku mendimi ndryshe dënohet me gaz lotsjellës dhe ku vullneti i popullit dhe e vërteta absolute privatizohet. Prandaj, fushata ndaj të gjithë ambasadorëve amerikanë nuk është personale, por është më e rrezikshme se kaq: është ideologjike.


Deri para gjashtë muajve kjo ishte vetëm ide boshe, pa mish dhe muskuj. Por, me bashkimin e Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt, retorika e Vetëvendosjes kundër shtetit të Kosovës dhe e garantuesve të shtetit ka hyrë në një fazë të rrezikshme. Ata janë bërë hisedarë në përmbysjen e shtetit, për të cilin 17 vjet më parë kishin luftuar. Janë bërë bashkëpronarë të mjegullimit të fotografisë së Kosovës në botë, përmes përdorimit të gazit lotsjellës.


Janë përbashkuar në rilindjen e një shteti të ri, që themelet duhet t’i ketë jo në luftën e UÇK-së, por në tendat e vendosura në sheshin “Skënderbeu”.


 

Rubrika "Radari" është hapësirë e komentimit të sjelljes politike dhe deklaratave kundërthënëse e të paargumentuara të politikanëve dhe figurave publike.

Lajmet më të lexuara

Republika Plus