Fitorja e opozitës: Dorëheqja e parë!

Radari01.03.2016 11:40

Është përmbushur kushti i parë i opozitës: Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje!

 

Ai jo vetëm që ka dhënë dorëheqje nga ekzekutivi i vendit, siç edhe kërkonte opozita, por edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, në krye të së cilës ishte që 17 vite.


Por, ndonëse opozita do duhej të ndjehej më triumfaliste, meqë njëra prej kërkesave të saj është përmbushur, ajo ka rënë tërësisht përtokë.


Nuk po di më sesi të sillet dhe s’po mundet as ta rimarrë vetën.


E zhytur në kllapi politike, i kanë mbetur vetëm kuturisjet rreth legjitimitetit të Thaçit si president.

 

Një herë e provuan me “çuditjen” rreth ndryshimit të numrave të votave. Madje, indirekt edhe kërkuan që prokuroria t’i niste hetimet për 21 deputetë që ndryshuan mendje dhe votuan pro Thaçit, duke i trajtuar si kriminel.


Por, për këtë çështje, mjafton që të mos ishin “çupëlina” dhe do ta dinin se kjo ishte një mënyrë për ta nënçmuar kandidatin e partisë rivale, duke mos i dhënë votat menjëherë, por në raundin e fundit, duke përçuar sinjale rivaliteti.


Megjithatë, këtë traditë të “lojës presidenciale” dhe mbajtjes pezull deri në raundin e fundit e kishte nisur vetë PDK-ja e para. Edhe Fatmir Sejdiu si president mund të zgjidhej me 2/3 e votave të 120 deputetëve në dy raundet e para, por në seancën parlamentare më 10 shkurt 2006, në raundin e parë, nga 110 deputetë të pranishëm, pro votuan 78, ndërkaq 8 ishin kundër dhe 24 fletëvotime ishin të pavlefshme. E njëjta situatë u përsërit pothuajse edhe në raundin e dytë kur pro votuan 77 deputetë, 9 ishin kundër dhe 24 fletëvotime ishin të pavlefshme. Në raundin e tretë mandej deputetët e PDK-së vendosën t’ia jepnin të plotë votën kandidatit presidencial Fatmir Sejdiu. Pra, koalicioni kishte mjaftueshëm vota që ta nxirrte presidentin me 2/3 qysh në raundin e parë, por deputetët e PDK-së me vetëdije nuk ia dhanë votën “blanko” kryetarit të partisë rivale.

 

Pas kësaj, opozita tash provojë edhe me kontestime procedurale, duke u thirrur në rastin Pacolli, për të cilën dje kemi argumentuar se nuk ka as analogji, as kurrfarë ndërlidhje me rastin Thaçi, sepse rrëzimi i ish-presidentit Pacolli ishte bërë për shkak të mungesës së kuorumit dhe kundër-kandidatit.

 

Thjesht opozita tash nuk po di as çfarë po flet dhe as sesi të sillet.

 

Madje, pavetëdije, ata me delegimin e deputetit të Vetëvendosjes, Ilir Deda, në komisionin për numërimin e votave edhe e legjitimuan dhe çertifikuan zgjedhjen e Thaçit president.


Kundërshtimi i tanishëm dhe deklaratat e liderit të Vetëvendosjes se “nuk e njohim Thaçin si president” janë vetëm ilaq për t’i mjekuar në këtë fazë emocionet e militantëve të tyre të dekurajuar, deri sa t’i injektojnë me manipulimin e radhës, që ata do t’i nxirrte përsëri në rrugë për t’u bërë mjet politik i tyre. 

Rubrika "Radari" është hapësirë e komentimit të sjelljes politike dhe deklaratave kundërthënëse e të paargumentuara të politikanëve dhe figurave publike.

Lajmet më të lexuara

Republika Plus