Enver Robelli, ambasador i stereotipeve për Kosovën në botë

Radari18.03.2016 16:09

Territori i Kosovës ka qenë i pamjaftueshëm për ta zënë mllefin e gazetarit Enver Robelli, që ai ka pothuajse me të gjithë elitën politike në Kosovë. Inatin, si pseudo vlerë antropologjike shqiptare, Robelli e ka eksportuar kryesisht në hemisferën gjermane.


Atje, përmes medieve dhe shkrimeve të shumta ka luajtur rolin e njëfarë “Möchtegern- Botschafter”, duke mos përfaqësuar interesat e shtetit, por atë që ne shqiptarët e kemi edhe trashëgimi gjenetike – inatin.


Kështu, Robelli pavetëdije ka mbajtur gjallë tash e një dekadë stereotipet dhe paragjykimet për shqiptarët në Zvicër, Gjermani dhe Austri. Shkrimet e tij, në shumicën e rasteve portretizojnë Kosovën si parashtet, parapolitikë, parashoqëri.


Një shtet mafioz, i kapur, i shitur, i përbaltur. Një shtet që nuk bëhet. Një Kosovë ku elitat politike i ngjajnë atyre të Koresë së Veriut, derisa qytetarët e saj përfaqësojnë vlera të Habsburgëve.


Një pjesë e kritikave të Robellit, ndonëse i sforcon tejmase, mund edhe të jenë të sakta. Por, kot ua mbush mendjen zviceranëve, gjermanëve dhe austriakëve. Populli i tyre nuk e zgjedh Isa Mustafën për kryeministër dhe as Albin Kurtin për lider të opozitës.


Pas çdo shkrimi negativ për elitat e zgjedhura të Kosovës, Robelli, i dëshpëruar pret një invadim gjerman, për të çliruar Kosovën nga kupolat e krimit të organizuar, nga mashtruesit, të korruptuarit, analfabetët, nga komandantët, nga gazetaria e nëntokës.


Pas çdo shkrimi negativ për elitat e zgjedhura të Kosovës, Robelli, i dëshpëruar pret një revolucion kulturor të shoqërisë kosovare, nga ajo patriarkale në një shoqëri moderne.


Por, kjo nuk do të ndodh.


Berlini përjetësisht do të mbetet një orientim politik i Kosovës, por asnjëherë pikënisje e rënies së murit të krimit në Kosovë. Asnjëherë nuk do të jetë gjeneza e rrëzimit të perdes së hekurt që kanë ndërtuar elitat politike në Kosovë.


Gazetar hyjnor dhe i nëntokës

Robelli në Kosovë, veten e portretizon si një gazetar hyjnor, ku përmes shkrimeve të tij, ai i mban ligjërata kolektive miletit për filozofinë politike dhe normat e sjelljes shoqërore. 


Një kombinim i hyjnisë së Kantit dhe Freudit, të personifikuar me emrin e tij. Ky është Robelli që e njohim në Kosovë, me shkrime kritike, të bazuara në perceptimin publik, i cili për ata që nuk i njohin proceset është “realiteti i vërtetë”.


Ndërkaq, Robelli në Zvicër, Gjermani dhe Austri nuk dallon fare nga gazetarët e nëntokës, siç parapëlqen t’i quaj ai gazetarët në Kosovë, sidomos kur zbulojnë ndonjë gjë që atij si shkon fare përshtati. Atje, ai as që zgjedh rrugë dhe mjete për të përbaltur elitat politike dhe përmes tyre edhe vetë shtetin nga vjen.


Tash e një dekadë, Robelli në mediat ndërkombëtare merret kryesisht me emra, rrallëherë me fenomene. Në shumicën e shkrimeve të tij, ai mbush faqet e gazetave ndërkombëtare, të rezervuara për stereotipet e shteteve të treta.


Në këto faqe, me një fjalor shumë të ashpër, me të cilin më shumë e nxjerr në pah një karakter të shthurur intaçori dhe vogëlsinë e vet, se që fakton ndonjë gjë, ai e ushqen dhe e përmbush veten e tij.


Këto faqe të Robellit gjithnjë ishin kundër UÇK-së, kundër qeverisë dhe shtetit të Kosovës, kundër komandantëve dhe nuk është aspak e çuditshme pse i ka penguar edhe zbulimi i fakteve të bashkëpunimit të Nazim Bllacës me prokurorinë serbe dhe shërbimin sekret të Serbisë, sepse ai dhe tutori i tij, Surroi, bashkë me mediet e tyre i kanë përdorur me vite të tëra deklaratat e Bllacës për t’i qëruar hesapet e tyre politike. Sa për vërtetësinë e tyre, nëse Robelli s’ka pasur rast të dëgjoi, meqenëse sigurisht ka qenë duke u marr me përbaltjen e Kosovës në mediet botërore, atyre e-maileve tashmë u është gjetur edhe “pronari”.


Përbaltja e Kosovës, atij i jep edhe kënaqësi të veçantë, sidomos kur ekzagjeron fenomenet negative si korrupsioni e krimi në Kosovë, ndërkohë që kurrë nuk shkruan për arritjet e shtetit, duke mos dalluar në këtë aspekt fare as me qasjen e medieve dhe gazetarëve serbë.


Deri në gjetjen e ndonjë pune tjetër, Robelli sigurisht se do të vazhdojë të mbetet njëri prej kalemxhinjve që më së shumti e njollosin imazhin e Kosovës në mediat ndërkombëtare, duke përforcuar stereotipet albanofobe dhe duke e portretizuar Kosovën si shtet të dështuar në sytë e opinionit publik evropian.  

Rubrika "Radari" është hapësirë e komentimit të sjelljes politike dhe deklaratave kundërthënëse e të paargumentuara të politikanëve dhe figurave publike.

Lajmet më të lexuara

Republika Plus