Ego Rama

Radari11.12.2015 10:22

Mbërrin Merkel, politikanja më e fuqishme e Europës, qëndron vetëm 2-3 orë, dhe Rama i tregon pikturat e tij.

Shkon Rama në Gjermani dhe inaguron një ekspozitë me vizatimet e tij ngjyra-ngjyra.

Shkon Rama në Hong Kong dhe tërheq zvarrë sipërmarrësit të shohin vizatimet e tij ngjyra-ngjyra.

Shkon Rama në Stamboll dhe inaguron një ekspozitë me vizatimet e tij ngjyra-ngjyra.

Mbërrin Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i aleancës më të fuqishme të botës, dhe Rama i tregon pikturat e tij.

Mbërrin Papa Francesco dhe, meqë akoma nuk i kishte shkuar në mendje puna e skicave, në vend të vizatimeve i tregon djalin e tij të vogël.

Nuk kemi politikë të jashtme, nuk kemi çfarë t’u themi apo çfarë t’u kërkojmë të plotfuqishmëve të botës, por ama kemi piktura dhe vizatime me ngjyra për t’u treguar politikanëve botërorë.

Nuk kemi politikë ekonomike dhe plane për të tërhequr investimet e huaja, por ama kemi piktura dhe vizatime për t’u treguar investitorëve të mundshëm.

Nuk kemi strategji për zhvillimin e shoqërisë sonë, por ama kemi vizatime me ngjyra mbi shkresa, projekte, strategji zyrtare.

Nuk kemi qeveri që punon për nevojat e qytetarëve, por kemi vetëm një zyrë të madhe që shërben si agjenci për organizim ekspozitash dhe marrëdhëniesh publike të një artisti të ri ambicioz që kërkon të konfirmohet me çdo kusht.

Në përfundim të gjithë kësaj nuk do të kemi më shtet, por do kemi vetëm një një markë të re: Ego Rama. Exit.al

Rubrika "Radari" është hapësirë e komentimit të sjelljes politike dhe deklaratave kundërthënëse e të paargumentuara të politikanëve dhe figurave publike.

Republika Plus