Diplomacia pajtuese

Radari29.10.2015 17:13

Krizat politike në Kosovë, duket se janë shndërruar në magnet për të sjellë top-diplomatë botërorë në Kosovë. Të rrallë janë ata presidentë, kryeministra dhe ministra të jashtëm që vizitojnë Kosovën në ditët kur mbretëron pak normalitet.


Duhej prezenca e presidentit austriak, Heinz Fischer, për të krijuar pak kthjelltësi në Kuvendin e Kosovës, i mbuluar tash e disa javë nga tymi i gazit lotsjellës.

 

E derisa të hënën në Kuvendin gjysmë të zhbllokuar të Kosovës, pritet të ratifikohet Marrëveshja për Stabilizim Asocim, vetëm pesë ditë më vonë, për të siguruar njëfarë normaliteti të improvizuar dhe artificial të Kuvendit vjen në Kosovë edhe komisioneri për zgjerim, Johannes Hahn. 


Çuditërisht, edhe ai ka kërkuar që të jetë folës nderi në Kuvendin e Kosovës. Edhe Hahn, njëjtë si bashkëkombësi i tij Fischer, do të mbajë një ligjëratë për deputetët e Kosovës të tipit “Hyrje në Demokracinë Parlamentare”.


Kohë më parë, vizita e ndihmës-sekretares amerikane të shtetit Victoria Nuland në Kosovë, zbuti sadopak kryeneçësitë e partive politike, të cilat kishin sjellë vendin para dështimit të krijimit të Gjykatës Speciale, projekt ky ndërkombëtar, mbi të gjitha amerikan.


Por, tashmë qytetarët e Kosovës janë mësuar t’i shohin politikanët e zgjedhur nga ta me çakmak në duar, gjithnjë të gatshëm të ndezin zjarre politike, derisa zjarret e tyre pastaj e ndezin ‘diplomacinë pajtuese’.


Zakonisht diplomacia pajtuese është aktivizuar gjithmonë para se politikanët kosovarë ta “dhinë punën”. Por, duket se edhe ky koncept tashmë është përmbysur kokëposhtë. 


Ditëve të fundit, diplomacia pajtuese është aktivizuar vetëm pasi politikanët ndezën Kuvendin e Kosovës dhe përgjakën rrugët e kryeqytetit.  


Në anën tjetër, qytetarët e Kosovës nuk po përfshihen dhe për herë të parë janë duke shikuar seri. Mbi 80 për qind e tyre janë të pakënaqur si me Qeverinë, po aq edhe me opozitën.

 

Ata edhe më tej presin “mesitët e jashtëm”, për t’i ndrequr politikanët e hasmëruar dhe për t’ua hequr çakmakët nga duart. Në pritje... 

Rubrika "Radari" është hapësirë e komentimit të sjelljes politike dhe deklaratave kundërthënëse e të paargumentuara të politikanëve dhe figurave publike.

Lajmet më të lexuara

Republika Plus