Bilanci i seancës

Radari24.10.2015 22:11

Kush humbi dhe kush fitoi politikisht prej seancës së fundit në Kuvendin e Kosovës? Janë këto disa prej pyetjeve që më së shumti ua kanë ngacmuar mendjen atyre që merren me politikë në Kosovë.

 

Sjellja e opozitës është jashtë çdo norme të pranueshme dhe ajo më së shumti është duke e nxjerr në pah paaftësinë e vet politike për të konkurruar me dy partitë e mëdha të koalicionit qeveritar. Veprimet e dhunshme, forca dhe muskujt politik janë forma primitive të sjelljes politike, që mund t’i kënaqin vetëm militantët, por assesi edhe njerëzit e arsyeshëm, që në të shumtën e rasteve, kur nuk bëhet fjalë për ndërlidhshmëri direkte të interesave politike, janë votues të luhatshëm.

 

Nuk do shumë analizë për të konstatuar, se opozita ka humbur më së shumti nga kjo seancë, përkundër që ata po mundohen ta shesin rezultatin e saj si fitore. Bllokadën në Kuvend, ndër të tjera, opozita po e bën edhe për të demonstruar fuqi politike, por ajo nuk arriti ta ndalë as mbajtjen e seancës dhe as të grumbullojë njerëz për të protestuar në rrugë. Arriti vetëm të nxjerr në pah dobësi në personalitetin e liderëve opozitar: Sjelljen e çuditshme dhe lëvizjet jonormale të liderit nën hije të Vetëvendosjes, Albin Kurtit, dinakërinë e Fatmir Limajt dhe sjelljen prej një babloku të Ramush Haradinajt, i cili si duket ishte nën ndikimin e alkoolit, por fliste edhe sikur barinjtë nga kodra në kodër.

 

Në anën tjetër, partnerët e koalicionit po mundohen të përfitojnë nga kjo sjellje e dhunshme e opozitës, por menaxhimi i situatës nga kryetari i Kuvendit lë shumë për të dëshiruar. Megjithatë, derisa Mustafa e Thaçi reaksionin politik e kanë të kanalizuar kryesisht në deklarata dhe mesazhe politike për elektoratin, duke e mbajtur distancën politike dhe ruajtur liderizmin e tyre, si më frontal në raport më opozitën ka humbur edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili përdori fjalor të ulët dhe shpërfaqi impulsivitetin e tij politik, të cilin po mundohet ta ndrydhë, që të mos vërehet nga publiku. Mund të mendoni që e kemi harruar Visar Ymerin, mirëpo të rrallë janë ata që e shohin Ymerin si lider dhe kjo është edhe arsyeja që e anashkaluam... 

Rubrika "Radari" është hapësirë e komentimit të sjelljes politike dhe deklaratave kundërthënëse e të paargumentuara të politikanëve dhe figurave publike.

Republika Plus