Ballkani dhe brutaliteti si mjet politik i ISIS-it

Radari14.11.2015 13:32

Shteti Islamik e ka origjinën në grupet selefiste xhihadiste, të krijuara nga jordanezi Ebu Musab al-Zarqawi në Irak më 2004. Krijimi i Kalifatit Islamik, që së pari do të përfshinte Irakun e Sirinë dhe më pas do të zgjerohej edhe në territore të tjera që lidhin komunitetin e gjerë myslimanë është synimi kryesor i terroristëve të ISIS-it.

  

Por, edhe pse zanafillën e krijimit dhe veprimit ky grup terrorist e ka jashtë kufijve të Ballkanit Perëndimor, luftërat në Kroaci, Bosnje, Kosovë, Maqedoni dhe Serbi e kanë ngritur nivelin e radikalizmit dhe ekstremizmit në Ballkan. Personat me bindje ekstreme fetare nga vendet e lindjes, vlerësohet se për herë të parë janë aktivizuar në luftën e Bosnje e Hercegovinës në krah të myslimanëve, prej ku edhe e kanë filluar përhapjen e bindjeve ekstreme fetare.


Edhe në Kosovë, fillet e para të përhapjes së ideologjive e doktrinave radikale janë paraqitur në vitet 1999-2000, me ardhjen e disa OJQ-ve ndërkombëtare që filluan propagandimin dhe përhapjen e rrymave ekstreme fetare përmes aktiviteteve të ndryshme.


Sistemi i dobët i institucioneve të sigurisë së UNMIK-ut për mbikëqyrjen e aktiviteteve të OJQ-ve, financimit të tyre dhe qëllimeve e aktiviteteve, vlerësohet se është njëra prej elementeve kryesore që ka ndikuar në shpërndarjen e ekstremizmit në Kosovë. Kurse, faktorë të tjerë që kanë ndikuar në shpërndarjen e ekstremizmit vlerësohet se janë edhe pasojat e luftës së fundit, që përfshijnë shkatërrimin e ekonomisë dhe pasojat psikike e sociale. Gjithashtu, edhe dëmtimi i objekteve kulturore, sportive e edukative, të cilat kanë reduktuar në masë të madhe aktivitetet rinore dhe tranzicioni i shoqërisë e trendi i ndryshimeve, që përfshijnë edhe tendencat për t’u dukur ndryshe, dominimin e një kulture mbi tjetrën, të një feje mbi tjetrën, të një sekti mbi sektin tjetër, qoftë edhe brenda një komuniteti fetar, vlerësohen si faktorë shtesë që kanë ndikuar në shpërndarjen e ekstremizmit në Kosovë. Për më shumë, rol të madh në përhapjen e ekstremizmit ka luajtur edhe ofrimi i literaturës me ideologji ekstremiste në gjuhën shqipe, ku cak i tyre kanë qenë kryesisht moshat e reja që nuk kanë pasur njohuri për fenë.


Përveç këtyre, ekzistojnë edhe një mori faktorësh të tjerë që kanë ndikuar në motivimin e kosovarëve për të shkuar drejtë Sirisë dhe Irakut. Por, praktika e deritashme ka treguar se motivi kryesor i shkuarjes së vullnetarëve buron nga bindjet ideologjike të fituara nga ekstremizmi fetar, të indoktrinuar nga mësimet, dogmat, propaganda në internet dhe masmedia. Megjithatë, motive nxitëse për pjesëmarrjen e tyre në luftën e Sirisë dhe Irakut, përveç bindjeve fetare, për disa persona kanë qenë dhe janë edhe përfitimet materiale, sepse sipas disa interpretimeve të ngushta që bëjnë individët me bindje ekstreme fetare, plaçka e luftës është e lejuar për t’u përvetësuar.


Rreziku që i kanoset Kosovës vjen kryesisht nga pozita gjeostrategjike që kemi, e cila mund ta shndërrojë vendin si cak transiti për grupet e jashtme radikale dhe ekstremiste, si ISIS, Al Nusra dhe grupet e tjera terroriste, të cilat në të shumtën e rasteve përdorin dhunën si mjet për realizimin e synimeve të tyre politike, megjithatë momentalisht ky rrezik e ka zanafillën jashtë kufijve të Ballkanit Perëndimor. Shqetësues mbetet vetëm niveli rritës i radikalizimit të disa kosovarëve si pasojë e pjesëmarrjes në luftime, duke rënë në kontakt me persona dhe duke u bërë pjesë e celulave të caktuara terroriste. /Republika.info 

Rubrika "Radari" është hapësirë e komentimit të sjelljes politike dhe deklaratave kundërthënëse e të paargumentuara të politikanëve dhe figurave publike.

Republika Plus