Antiamerikanizmi në krijim në Kosovë dhe proamerikanizmi në krijim në Serbi

Radari25.12.2015 13:23

Dikur deklaratat e përfaqësuesve amerikanë ishin ligj në Kosovë. Madje, pakkush merrte guximin t’i komentonte ato. Tash e 16 vjet amerikanët përfaqësuan një institucion të konsensusit kolektiv në Kosovë. Qytetarët besonin në përfaqësuesit amerikanë dhe ky lloj besimi ishte shndërruar në stabilitet politik. 

 

Amerikanët ishin të vetmit që herë pas herë pajtonin përfaqësuesit politik të Kosovës, të cilët ishin të hasmuar deri në palcë. Kurse, krizat politike i zgjidhnin gjithmonë brenda ditës. Por, ky ndikim i pakontestuar amerikanë në Kosovë duket se ka filluar të bie, në vendin më proamerikan në botë. 

 

Kjo vlen vetëm për elitat politike, ngaqë në mesin e qytetarëve respekti për Amerikën duket se do të jetë i përjetshëm. Sondazhi i fundit i “Gallup Internacional” është treguesi më i mirë për këtë. Presidenti Obama ka mbështetjen më të madhe në Kosovë, para Amerikës dhe Kanadasë. Por, kjo nuk vlen edhe për elitat politike të Kosovës.

 

Muajt e fundit, deklaratat e përfaqësuesve amerikanë përveç që u keqinterpretuan nga elitat politike në Kosovë, ato fare nuk u morën seriozisht. Ambasadorit amerikan në Kosovë është duke i dal goja pas veshi duke thënë që gazi lotsjellës nuk ka vend në Kuvend, por opozita me një qasje kamikaze është duke vazhduar hedhjen e gazit. Ambasadorit amerikan në Kosovë është duke i dal goja pas veshi duke thënë që korrupsioni dhe krimi i organizuar është duke shkatërruar shtetin, por Qeveria me një qasje fataliste është duke qëndruar duarkryq.

 

Madje, këta politikanë nuk po tregohen të dëgjueshëm as ndaj vetë sekretarit amerikan Kerry, i cili arriti të përfundojë një konflikt 50 vjeçar mes SHBA-së dhe Kubës.

 

Një antiamerikanizëm në krijim e kanë nxitur edhe rryma të ndryshme të radikalizmin islam dhe politik në Kosovë. Imam të ndryshëm haptas kanë predikuar kundër amerikanëve. Njëjtë ka vepruar edhe Lëvizja Vetëvendosje, me të cilën ambasada amerikane në Kosovë në vazhdimësi nuk ka mbajtur asnjë lloj kontakti, për shkak të përdorimit të dhunës si mjet politik.

 

Në anën tjetër, në vendin fqinj Serbinë, vendin më prorus në rajon, ka filluar një proamerikanizëm në krijim. Kryeministri serb, Aleksander Vucic, brenda disa muajve dy herë ka vizituar Ambasadën e Amerikës në Beograd për t’i siguruar qytetarët serb se shteti amerikan nuk është kundër tij. Madje, këtë e ka thënë edhe vetë ambasadori Kirby. 

 

Gjithashtu, edhe reagimi i zyrtarëve serbë ndaj deklaratave të zyrtarëve amerikanë janë gjithnjë e më të matura. Edhe kur amerikanët thonë se Kosova duhet të jetë pjesë e OKB-së, që përbën krimin më të rëndë ndërkombëtarë sipas interpretimit serb, Vucic tregohet i ftohtë dhe racional. “Serbia si një shtet i vogël është vështirë që t’i përgjigjet deklaratave të Ambasadës amerikane”, tha ai pas deklaratave të djeshme të ambasadorit amerikan në Beograd.

 

Ndërkaq, në Kosovë politikanët vazhdojnë të tallen me deklaratat e sekretarit amerikan, John Kerry. Vlen të rikujtojmë kontributin jetik të SHBA-së për Kosovën. Në një kohë kur shqiptarët në Kosovë ishin para gjenocidit, amerikanët sulmuan Serbinë. Në një kohë, kur pavarësia dukej utopi, amerikanët e jetësuan atë. Në një kohë kur njohjet ndërkombëtare dukeshin mision i pamundur, amerikanët ndihmuan që ne t’i kemi 111 njohje. Në një kohë kur anëtarësimi i Kosovës në OKB duket i pamundur, Amerika po angazhohet që të mundësojë rreshtimin e Kosovës përkrah shteteve të tjera sovrane. Gjithsesi, që këtë nuk e bën për elitat e inatosura politike, por për popullin e Kosovës, të cilët janë mirënjohës për kontributin përcaktues në çlirim dhe shtetndërtim të Amerikës. 

Rubrika "Radari" është hapësirë e komentimit të sjelljes politike dhe deklaratave kundërthënëse e të paargumentuara të politikanëve dhe figurave publike.

Republika Plus