Universiteti i Provimeve (UP)

OpEd24.04.2016 12:09
DONJETA JASHANICA

Universiteti i Prishtinës vazhdon të shkelë statutin e saj. Ndonëse në statutin e UP-së shkruan se ka tri afate të provimeve, pra janarin, qershorin dhe shtatorin, në fakt nuk ndodh kështu. Studentët kanë mundësi që t’u nënshtrohen edhe dy afateve të tjera të parregullta, që janë prilli dhe tetori. Shumë herë është përfolur se afatet e parregullta do të largohen. Por, sa herë që kjo çështje është vënë në diskutim, disa studentë janë ngritur në protesta. Madje në rastin e fundit, kur ish-rektori Ramadan Zejnullahu tha që të largojë afatet e paligjshme, ata edhe kanë fjetur në fakultetet në të cilat studionin, në shenjë kundërshtimi për të mos larguar këto afate. Kështu që ish-rektori vendosi që studentët në këto dy afate t’i nënshtrohen vetëm një provimi.


Studentët përveç prillit dhe tetorit, kërkuan  që të ketë afat çdo muaj për absolventë. Ata përveç afateve, patën edhe kërkesa të tjera. Por, ata nuk kërkuan reforma të reja të ligjërimit. Nuk kërkuan hapësira më të gjera për studim. Nuk kërkuan që ato çka mësojnë të kenë mundësi praktikimi. Nuk kërkuan më tepër bursa për studime jashtë Kosovës e literaturë të mjaftueshme për studim. Nuk kërkuan që vlerësimi i tyre të bëhet kohë pas kohe gjatë gjithë semestrit, pra me anë testeve, detyrave, vijueshmërisë në ligjërata etj., gjë që është e përcaktuar edhe me statut të Universitetit. Ata kërkuan shkelje të ligjit. E edhe kësaj radhe ia arritën qëllimit.  Gjithashtu u vendos që  gjatë këtyre afateve të kenë një javë pushim, në mënyrë që të mos dëmtohet procesi i studimeve. Por, edhe pse ka pushim njëjavor, prapë se prapë procesi mësimor pengohet, ngase studentët fillojnë më herët të përgatiten për provime. Kjo bën që të mos vijnë në ligjërata, ose të mos përqendrohen në ligjërata e detyrat që kanë. Gjithashtu, shumica e provimeve janë mbajtur në fillim të javës së pushimit, pa pasur mundësi ta shfrytëzojnë atë javë për studim. Tani, pas dorëheqjes se rektorit Zejnullahu, senati vendosi që dy afatet të bëhen sërish me nga dy provime... Shumë studentë duke pasur parasysh faktin se kanë kaq shumë afate, ata nuk përgatiten aq shumë për shembull në afatin e parë, për shkak se e dijnë që do  të kenë edhe katër afate të tjera. Madje, disa student thonë “kur s’ke fat, ke afat”. Pra, aq ka afate provimesh, sa që në njërin prej tyre, do t’ua dojë fati... E në vendimin e senatit që prilli dhe tetori të jenë me dy provime, në një fjali të këtij vendimi shkruan se këto dy afate u bënë me dy provime “me qëllim të ruajtjes dhe avancimit të cilësisë që është në interesin e të gjithë studentëve”. Por,  në realitet këto afate kanë ndikim të kundërt me atë që është thënë në këtë vendim të senatit. Afatet e tepërta në UP, bëjnë që të bie cilësia e arsimit në Universitet.  Ky ndoshta është njëri ndër indikatorët pse diplomat e UP-së nuk po pranohen nga shumë shtete.


Studentët e Universitetit të Prishtinës nëse do të kishin literaturë të mjaftueshme, mundësi praktike, vlerësimi i tyre të bëhej gjatë gjithë semestrit, atëherë nuk do të kishte nevojë për kaq shumë afate. Ata do t’i kalonin provimet me anë të këtyre tre afateve të ligjshme. Pra, me anë të pikëve që do të akumulonin vazhdimisht. S’do të kishin nevojë t’i nënshtrohen një provimi më shumë se tre herë.  S’do të kishin nevojë për afate shtesë. Ata çdo ditë nga pak do t’i kalonin provimet. Por, kjo ndodhë si shkak i mosrespektimit të statutit të Universitetit, dhe njëherish i mosangazhimit të mjaftueshëm të studentëve në studime. E kjo bënë që Universiteti i Prishtinës të jetë Universitet i Provimeve. 

Lajmet më të lexuara

Republika Plus