Pse s’kemi më shtet

OpEd07.05.2016 10:08
Ben Blushi

Që nga viti 1914 kur fuqitë e mëdha na sollën një administrator të huaj për shkak se nuk kishim mundësi dhe organizim për të marrë vendimet e duhura për shtetin tonë ndoshta nuk ka patur ditë më të turpshme për ne.


Por nëse në vitin 1914 ushtrimi i sovranitetit ishte i pamundur sot është edhe më keq.


Çfarë ka ndodhur?


Me dyshimin se klasa politike nuk do dhe po e saboton reformen në drejtesi ambasadorët e Bashkimit Evropian dhe Amerikës kanë vendosur të mbledhin grupet parlamentare duke u përcaktuar atyre orarin e punës dhe vetë punën.


Në një kuptim kanë vendosur ta mbledhin dhe diktojnë Parlamentin jashtë kësaj salle.


Në çdo kuptim, nga kjo ditë, ky Parlament ka humbur legjitimitetin dhe sovranitetin e tij.


Fatkeqësisht kjo është vertetë.


Fatmirësisht kjo po ndodh.


Të huajt vendosën të mos na lëne vetëm. Kjo është e qartë.


Por natyrisht kjo mbështetje vjen me një çmim.


Kush është çmimi?


Çmimi është tallja me këtë klasë politike. Çmimi është çmotimi i saj. Çmimi është përçmimi i saj. Çmimi është ndëshkimi i saj. Çmimi është shfarosja e saj. Ne jemi në prag shfarosje si specije politike, proces të cilin shqiptarët nuk e kryen dot, por proces te cilin mezi e kanë pritur.


Nese ne ikim Shqipëria do jetë më mire. Kjo është çështja.


A është ky një çmim i merituar. Nëse pyesim shqiptarët unë do thosha se ata do ta aprovonin që ne tallemi dhe nëpërkëmbemi kaq keq.


Shqiptarët më në fund kanë mundësi të shpresojnë se klasa e tyre politike do ndëshkohet pasi ka rezistuar të ndëshkojë veten për kaq shumë kohë.


Reforma në drejtësi ndoshta do kalojë çka mund ti japë shpresë shqiptarëve se me mbikëqyrjen e partnereve ndërkombëtarë prona e tyre s’do vidhet më, interesi publik do mbrohet, pyjet nuk do shkatërrohen, deti nuk do të falet, kullat nuk do të ngrihen, të ardhurat nuk do të përgjysmohen dhe jeta në Shqipëri mund të jetë pak më e drejte dhe për pasojë pak më e pranueshme.


Reforma në drejtësi pas kësaj ndërhyrjeje mund të shërbejë për të ndaluar shpopullimin e Shqipërisë dhe zbrazjen e vendit nga politikanët e saj çka ka ndodhur në 25 vjet.


Meqë përmenda vitin 1914 duhet të them se ndoshta pas kësaj dite, pra nesë ndërkombëtarët marrin në dorë drejtësine shqiptare ka shpresë që politikat esadiste të shterrojnë.


Ky parlament dhe shumë para tij nuk qenë shpesh sadistë por kanë qene çdo ditë esadistë.


Ai ka ecur me vullnet dhe këmbëngulje në rrugen e Esad Toptanit. Kundër interesit kombëtar kundër interesit publik kundër Shqipërisë në përgjithësi.


Dhe siç dëshmon historia Esadi frenohej vetëm kur hynin në lojë ndërkombëtarët dhe me ndihmën e tyre edhe shqiptarët.


Ky parlament është besnik i parimeve  esadiste dhe natyrisht do ketë fundin e tij.


Shikonic cfarë shëmtije. Shikoni ku e solli veten ky Parlament. Ambasadorët do vijnë në grupet tona parlamentare për të na bindur të bëjmë drejtësi.


Unë besoj se kjo jo vetëm nuk ka ndodhur por edhe nuk ka për të ndodhur më. Eshtë testi i pafuqisë së këtij Parlamenti për të vendosur në interesin publik.


Eshtë testi i kësaj klase politike e cila po dorëzon me vullnet detyrimin që ka për të marrë vendimet e duhura për shqiptarët.


Eshtë një ditë në të cilën provohet se Parlamenti i Shqipërisë nuk ka as fuqi dhe as dinjitet për të votuar atë çfare duhet dhe çfarë pritet prej tij.


Sot po tallemi dy herë. Një herë nga shqiptarët të cilët kanë të drejtë të thonë se ky Parlament e ka konsumuar orën e vet dhe herën e dytë nga ndërkombëtarët të cilët natyrisht do tallen me tre grupe parlamentare të cilat do mblidhen për të marrë urdhëra.


Unë besoj se sot të tre grupet tona parlamentare duhet të skuqen. Nuk do doja të isha anëtar i asnjërit prej tyre.


Sidoqofte them se klasa jonë politike e meriton këtë tallje.


Ky është fundi i saj më i denje dhe më i arsyeshëm.


Ky nuk është fillimi i fundit por është siç thoshte Çurçilli është fundi i fillimit.


Të huajt po i heqin mundësinë klasës politike të caktojë gjyqtarët dhe prokurorët e vet. Kjo është e verteta.


Ndoshta ka ardhur koha të shkojmë në shtëpi pasi ti lëmë një shënim në muret e kësaj salle.


Mbaroi koha e sadistëve esadiste. 

Lajmet më të lexuara

Republika Plus