Ligji për kinematografi duhet të tërhiqet

OpEd07.05.2016 10:13
Arben Zharku

Letër publike institucioneve të shtetit

 

Gjatë viteve të fundit filmat kosovar, përkatësisht filmat e mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, kanë arritur suksese të shumta në arenën ndërkombëtare. Gjatë këtyre viteve, këta filma janë renditur përkrah filmave më të mirë, kanë qenë pjesë e festivaleve të kategorisë 'A', si dhe Kosova për herë të parë është nominuar për çmimin Oscar duke shënuar kështu edhe kulminacionin e sukseseve. Filmat tanë po shfaqen anë e kënd botës duke krijuar një standar të ri të kinematografisë dhe duke promovuar shtetin e Kosovës, e gjithë kjo falë bashkëprodhimeve me shtetet e tjera.


Këto ditë në parlamentin e Kosovës, pa pëlqimin e kineastëve kosovar ose pa pëlqimin e shumicës së kineastëve, po kontrabandohet një ligj me anë të të cilit do të degradohet kinematografia jonë.


Ndër filmat më të suksesshëm kosovar të cilët kanë fituar shumë çmime janë në bashkëprodhim me shtete tjera, duke potencuar:  “Shok” nga Jamie Donoughue, Tri Dritare dhe një Varje' me skenar nga Zymber Kelmendi dhe regji nga Isa Qosja, filmi 'Babai' nga Visar Morina, filmi 'Burrnesha' nga Laura Bispuri, filmi “Balkoni” nga Lendita Zeqiraj, 'Bota' nga Iris Elezi dhe Thomas Logoreci, filmi 'Krom' nga Bujar Alimani, filmi 'Engjujt janë larg' nga Gjergj Xhuvani etj. 


Këta filma i kanë siguruar Kosovës vend në festivalet më prestigjioze si: Berlinale, Cannes, Karlovy Vary, Tribeca Film Festival, Sarajevo Film Festival madje edhe në OSCARS, dhe kanë qenë të përzgjedhur nga emrat më me zë në industrinë e filmit - nga anëtarët e jurisë të cilët kanë qenë nga Kosova, Shqipëria dhe nga vendet tjera Evropiane.    


Nëse këto suksese janë arritur për shkak të përzgjedhjes së jurisë kjo tërësisht po rënohet me draftin e ri të këtij ligji, duke i mbyllur kufijtë dhe duke reduktuar diversitetin e gjykimeve të projekteve filmike që mund të vijnë nga anëtarët e huaj të jurisë.


Para dy vitesh në bashkëpunim me komisionin evropian, ekspert ndërkombëtar dhe komunitetit e filmbërësve ne patëm propozuar një draft i cili ka qenë i harmonizuar me ligjet më të mira evropiane të kinematografisë.


Megjithatë Ministria e tanishme e Kulturës propozoi një draft ligj i cili është edhe më degradues se ligji aktual, ku janë anashkaluar shumë nene të rëndësishme dhe janë zëvendësuar me nene për të cilat komuniteti artistik vlerëson se janë degraduese dhe shkatërrojnë frymën pozitive të industrisë tonë e cila viteve të fundit është ngritur dhe mund të krahasohet me vendet e rajonit. 


Për shembull pse duhet të shuhet Kosova Filmi kur shumë lehtë mund të ju ndërrohen vetëm aktivitetet e veprimtarisë, dhe të ruhet po i njejti emër bashkë me pronësinë që e trashëgon.


Gjatë këtyre viteve për shkak të punës së madhe që është bërë në kinematografi, filmi i ka sjellur Kosovës mbi 5 milion euro dhe mbi 200 çmime ndërkombëtare, e e gjithë kjo arritje është falë bashkëprodhimeve, pjesë e pandashme e filmit e cila po rënohet nga ky ligj.


Lusim të gjithë personat kompetent duke u nisur nga Presidenti i Kosovës, Kryeministri, Deputetët e Ministri i Kulturës, të mos kalojnë këtë ligj.


Ky ligj duhet të tërhiqet dhe të punohet një draft i ri i cili do të jetë i pranueshëm për kineastët kosovar dhe i cili është i hapur ndërkombëtarisht. 


Autori është dejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës 

Lajmet më të lexuara

Republika Plus