Letër e hapun fqiut tim serb

OpEd24.04.2016 15:38
Sami Repishti

Fqiu i im i vjetër: Nji vjet ma parë, kur dimni paloste krahët e bardhë e toka e jonë shkrihej për lulëzim e fllad pranveror, ti erdhe në Kosovë. Të pashë që kalove i harlisun nëpër rrugët e sheshet kosovare, i veshun me rrobe ushtarake, i mbërthyem në armë, i mbrojtun me qerre të armatosuna, i përcjellun me fluturake që gumëzhijshin në qiellin lanë shkret nga zogjët e frikësuem.


Nuk u besova syve të mi! Po atë ditë, në tryezën e mensës së studentëve, supa e zezë që ushqente ishte ftohë nga pritja e gjatë në rreshtat e pafund të të rinjve që gjallnojshin me atë supë kazani. U dëshprova, e ndjenja e vorfnisë që më mundonte për shumë vjet me rradhë, brumosi vendimin tim me protestue, me demonstrue haptas e pa frikë, me trumbetue të vërtetën time me fuqi, për ty e për botën mbar.


Ti nuk e ndigjove zanin tim, por bota mbar dëshmoi krizmën e armës tande vrastare që shkrepi, e vazhdoi pa ndërpremje, por jo ma e fuqishme se zani i im e i mijëra shokëve të mi. Pashë rreth e rrotull meje gjakun e kuq që rrodhi nga trupat e të rinjve të vramë, fëtyrat e zbeme të viktimave, frikën e madhe të voglushëve që na ishin ngjitë për trup, e ndigjova të përzieme me shamjet tueja, britmat e masës në panik, e vajin e të vegjëlve që nuk kuptojshin, ashtu si edhe të gjithë ne, pse vëllau dhe motra ma e madhe po vriteshin në sheshet kryesore të qyteteve tona të lindjes.


Tri ditë me rradhë vazhdoi përleshja e uniformës serbe me kësulat e bardha shqiptare! Ato ditë,-për mue, për të mijtë, për të gjithë ata që nuk veshën rrobën ushtarake si ti-, nji botë e rreme u rrokullis, u përmbys njiherë e përherë, e në zbraztinë e mbetun u gjet turma e kërcënueme dhe e keqtrajtueme. Zjarri i armës vrastare në dorën tande, me vdekjen që këputi jetët e shokëve në lule të rinisë, vulosi rrugën e së ardhmes për të kërcënuemet: në rreshtat e gjatë të të shtypunve në marshim për bukë, e paqe edhe liri!


* * *


Sot, nji vjet ma vonë, fëtyra yte tregon shprehjen e kënaqësisë që ndritë tek fitimtari. Ngadhënjyes! Në atë fëtyrë pasqyrohet e tashmja që ti e shikon si vazhdim i pandërpreme i së kaluemes sate të lavdishme.


Që nga ditët kur të parët tuej zbritën nga Uralet e u vendosen në këtë gadishull tragjik të Ballkanit, tue u ba kështu fqinji i im shekullor, fiset e shpërndame sllave që formuen ma vonë kombin tand serb kanë njohë nji histori plot vuejtje e plot lavdi, kanë kalite vjet mbas vjeti nji karakter që u dallue për kambëngulje e guxim, kanë ndërtue mbretni e perandori, e me të gjitha vështirësitë që u dha koha e vendi ku jetuen kanë arrijtë sot, në shekullin tonë, të sigurojnë për ty dhe për ata të kombit tand nji shtet të pavarun, që përmbledh në gjiun e vet të gjithë bijat e bijtë e fisit serb, dhe mundëson zhvillimin përherë ma të plotë të identitetit tyne serb.


Në këtë bashkësi politike e shoqënore, serbin nuk e shtyp ma i hueji, as nuk pengohet ai me këndue lavditë e së kaluemes, e me festue ditët e mëdha të kombit serb. Në këtë shtet serb, ku herojt e kombit serb ngrihen në piedestalet e pavdekshmënisë, rinia serbe ashtë e lirë me adhurue simbolet e krenarisë serbe, ndërsa mësuesi i tyne, në shkollën ku edukohen, ushqen me frymën e dashunisë për vend e respekt për traditën serbe trembëdhetë herë shekullore….


Për serbin, po! Por jo për shqiptarin! I huej ai në vendin e vet, ende sot i mohohet atij kombësia, i fyhen atij herojt, i nënçmohet historia, e të rinjtë e të rejat shqiptare mbahen sot të lidhun në vargoj. Prandej, shprehja yte ngadhënjyese tregon dukshëm edhe gjurmët e randa të shtypësit. Në hovin e papërmbajtun të rritjes sate, kamba yte ka shkelë tokët që nuk janë tuejat, ka shkelë tokën time.


Vendi që ti sundon sot, si fitimtar, nuk ashtë ai i vëllazënve tuej; ai ashtë vendi i im e i vëllazënve të mij. Shteti që ti zgjanove mbylli mbrenda kufijve trojet e mia stërgjyshore, trevat ilire e dardane ku ata kishin banue, para ardhjes tande në Ballkan. Kohët epike të mbretnive të tyne të lavdishme dhe tragjeditë e shkatërrimeve barbare që sollën invazionet e njimbasnjishme të gadishullit.


Në ato troje ishte formue tashma identiteti i popullit tim ma i vjetri në Ballkan. Megjithatë, para rrezikut të përbashkët që kërcënoi Ballkanin dhe Europën, na gjetëm vullnetin e duhun për bashkim e përpjekje të përbashkët, ma shumë se nji herë. Gjatë atyne kohëve, ti krijove legjendën e Kosovopoljes, ku humbja u shndrrue në fitoren ma të madhe shpirtënore të popullit serb, ndërsa në tokët shqiptare epopeja që filloi pranë Nishit e kulmoi në Krujë, frymëzoi për ma shumë se pesë shekuj çdo fjalë e vepër të vëllazënve të mi.


Të dy të shtypun, na u afruem si dy fqinj të frikë- suem nga pesha e randë e kërcënimit të huej e njohja e vuejtjes së përbashkët, ruejtëm në zemrat tona kujtimin e lavdive të kalueme, e ushqyem me kujdes për vete e për të tjerët shpresën e nji dite të lirë e fatlume…! Ma vonë, gjaku e gjuha sllave që të bajnë vëlla me kombe tjera të shumtë e të mëdhaj sollën ftohjen tonë, largimin, ndamjen e ballafaqimin.


Tragjedia ime rifilloi me fitoren tandë të parë. Ushtritë e hueja e tueja së bashku dogjën e plaçkitën tokët tona, e katundet ku shqiptari vendas nuk pati kohë me u largue me kohë u mbushen me viktima, burra, gra e fëmijë. Nji valë e egër urrejtje u vërsul mbi kombin tim që në Prizrenin e lashtë u përpoq t’i tregonte botës mbar, e sidomos ty, o fqiu i im i vjetër, se rruga e paqes në Ballkan e liria e përbashkët kalojshin vetëm përmes trojeve të lira të të gjithë kombeve ballkanike, tue përfshi edhe kombin shqiptar


* * *


Për fat të keq, ti as ndigjove thirrjen time, as kuptove dhimbjen time! Unë lexoj kudo sot tregimet mbi aktet e shëmtueme të ushtrive serbe në tokën shqiptare, mbi përpjekjet e qeverive serbe kundër lirisë së shqiptarëve, mbi urrejtjen patologjike të klasës sunduese serbe kundër fqiut shqiptar, e pyes veten: përse?


Në arkivat e pasuna zyrtare e në kangët e thjeshta popullore, unë lexoj e ndigjoj vetëm për krimet tueja kundër meje e vëllazënve të mi, e kambënguljen tande me më pengue lirinë e jetën në paqe në toket që banoj për tridhjetë shekuj të gjatë me rradhë. Kundrejt kujtimeve të këtilla, zanet fisnike serbe që dënuen krimin e kriminelët qeveritarë mbeten për mue të vetmet burime ngushëllimi.


Sot, të shkruej o fqiu i im i vjetër, sepse kam nevojë të ndigjoj zanin e nji serbi fisnik që dënon krimet e sotme serbe kundër meje. Kam nevojë për nji za që të ringjallë në zemrën time shpresën se fisnikëria e kombit tand, cilësia që mveshë me dinjitet karakterin e kombit tand, nuk ashtë shue fare e mbetet veçse nji kujtim i së kaluemes, shpresën se nana serbe lindë përsëri bij e bija të aftë për atë fisnikëri.


Në qoftë se fjala “njerëzim”(covecanstvo) ka nji kuptim për ty, ajo këshillon të ushqesh nji cilësi thellësisht njerëzore, nji ndjenjë e prirjes kah dashunia e respekti për cdo qenie njerëzore, tue përfshi edhe Shqiptarët. Në qoftë se fjala “dinjitet”(dostojanstvo) ka njikuptim për ty, ajo këshillon të ushqesh nji cilësi që naltëson karakterin tand si qenie njerëzore, këshillon nji përpjeke fisnike kah ngritja e vlerës sate si individ, e siguron admirimin e besimin e të tjerëve, tue përfshi edhe atë të Shqiptarëve.


Enë qoftë se fjala “komb” (narod) ruen ende tingullin magjik që mobilizoi serbët për shekuj me rradhë, ajo fjalë këshillon gjithashtu të shikosh tek kombi nji bashkësi njerëzish që jeton me ndjenjën e vëllaznimit në gjak e gjuhë të përbashkët, që banon në trojet e veta me doke e zakone të veta, e që bashkë me interesat e së tashmes shpreson për nji të ardhme të përbashkët e përherë ma të mirë- nji andërr shekullore që përkdhelin edhe Shqiptarët.


Shqiptarët, o fqiu i im i vjetër, janë nji komb, janë qenie njerëzore me dinjitet, janë pjesë e pandame e njerëzimit mbar. Ky ashtë mesazhi që dërgojnë rrethe rrotull botës dy miljonë shqiptarët që banojnë sot në Jugosllavi: i thjeshtë, logjik, historik! Karakteri historik i mesazhit u forcue përsëri me gjak nga shqiptarët e Kosovës së martirizueme në pranverën e vjetit që kaloi, ndërsa në burgjet e errëta të Serbisë aipo kalitet gjithënji e ma shumë me vuejtjet e qindëra, ndoshta mijëra, shqiptarësh të mbyllun e të torturuem vjetë të gjata me rradhë.


Ata që ranë në altarin e atdheut shqiptar, ata që u mbyllën e që po mbyllen çdo ditë mbrenda mureve të frikëshme të kështjellave të vjetra serbe janë sot ndërgjegja vetë e nji kombi të tanë. Ata janë çfaqja ma e naltë, shprehja ma koshiente e nji natyre njerëzore, e dinjitetit personal, dhe e kryenaltësisë kombëtare shqiptare.


Ata, o fqiu i im i vjetër, nuk janë “meturinat e së kaluemes”, “elemente të degjeneruem”, “fundrrinat e historisë”, siç i trumbeton sot shtypi i shitun i kalemxhinjve që shpërblehen për çdo shamje, “udhëheqsit” që nuk udhëheqin veçse veten e tyne në rrugën e servilizmit ndaj sistemit- “klasa e re” e të privilegjuemve, përgjegjse e vrasjeve, e burgimeve dhe internimeve, përgjegjse para viktimave, nanave që nuk pushojnë së vajtuemi, të vejava që u ashtë nexi jeta, të jetimëve që rriten pa prind…!


Që nga fushat dhe qytetet kosovare të reduktueme në krematore nga ushtritë serbo-malazeze deri në masakrat e rinisë kosovare të pranverës së kalueme; që nga mohimi i gjuhës shqipe e i librave shqip për fëmijtë shqiptarë sot në bankat e shkollave shqipe në Jugosllavi; që nga ditët e “sharraxhinjëve të Beogradit” deri tek njiqindmijë të papunësuemet shqiptarë qënuk kanë sot bukën e përditëshme; që nga “shiftari” i përbuzun e i përçmuem i së kaluemes deri tek “bastardhët e Kosovës” siç quhen sot ata dhe ato që po fitojnë admirimin e përkrahjen e botës së qytetnueme, kalon e vështirë dhe e mundimshme rruga e Golgotës shqiptare në Jugosllavi, kryesisht për arsye të arrogancës serbe që, ashtu si klasët e privilegjueme në shoqënitë e padrejta, refuzon me njohë lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve, popullit ma të vjetër në Ballkan.


Liria ashtë shpërblimi i guximtarit! Shqiptarët po i tregojnësot botës mbar se kanë kuptue ma së mirë mësimet që u dha historia e së kaluemes jo shumë të largët. Shqiptarët në Jugosllavi sot po rrezikojnë jetët e tyne në vijën e parë të zjarrit që të fitojnë liritë e mohueme, liritë që ju serbët konsideroni si privilegje ekskluzive të kombit tuej.


Shqiptarët në Jugosllavi po tregojnë me bindje dhe guxim se ju nuk do të jeni kurrë me të vërtetë të lirë, o fqiu i im i vjetër, në qoftë se nji pjesë e bashkëvendasve të juej nuk gëzon të njëjtën liri – edhe pse nuk janë sllave si ju! Atje në Bella Crkven serbe, pushka trime e Ivica Jovanoviqit kumtoi nji mesazh për të gjithë popujt e shtypun të Ballkanit të okupuem: vullneti i nji kombi të vogël me jetue i lirë dhe i pavarun, nuk mund të thyhet kurrë nga nji tjetër komb shtypës dhe i huej, sado i madh e i fuqishëm të jetë ai.


Si ashtë e mundun, o fqiu i im i vjetër serb, si ashtë e mundun, që sot, katër dekada ma vonë, ti nuk pranon mësimin e madh që të dha njeni nga bijtë tuej ma të mirë, kur fjala ashtë për lirinë e pavarësinë e shqiptarit? Oh! Sa do të dëshirojshe unë me pa ditën kur dy kombet tona, zotë në trojet e veta, të jetojnë pranë njeni-tjetrit, e në miqësi për shekuj të gjatë me rradhë. /Panorama/ 

Lajmet më të lexuara

Republika Plus