Europa nuk ka mendim strategjik të zhvilluar

OpEd04.08.2018 17:48
ELMAR HELLENDOORN

Ndërsa Europa progresiste është gjithnjë e më pak e rëndësishme në botë, bota e realpolitikës ka gjithnjë e më shumë influencë ndaj Europës.


Në zanafillë, Konrad Adenauer dhe Charles de Gaulle synonin që ta bënin Europën një bllok fuqie që eventualisht të mund t’i rezistonte dhe ngjitjes së Kinës. Megjithatë, gjenerata e majit 1968 e refuzoi një mendim të ngjashëm “reaksionar”, duke hedhur kështu farërat e populizmit bashkëkohor. Dhe ndërsa shoqëritë europiane humbasin kontrollin mbi fatin e ture, gardianët e projektit europian humbasin legjitimitetin e tyre. mendimi strategjik në Europë është i pazhvilluar. Kjo përbën një problem, pasi masa në të cilën europianët arrijnë të deshifrojnë botën i përcakton aftësinë për të ushtruar influencë.


Shtetet e Bashkuara janë në rënie relative dhe nuk ka garanci se Uashingtoni do ta mbrojë Europën nga ngjitja e Kinës, nga kërcënimi i Rusisë dhe/ose nga paqëndrueshmëria e Lindjes së Mesme. Europës do t’i duhet të ecë me këmbët e veta dhe të marrë përgjegjësinë e fatit të vet. Për të arritur një gjë të tillë duhen jo vetëm investime të konsiderueshme në resurset ushtarake, por edhe një rilindje e mendimit realist europian.


Nga Lufta e Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara kanë investuar në mënyrë të vazhdueshme në zhvillimin e mendimit realist autokton. Ky lloj arësyetimi shërbeu edhe për të riekuilibruar idealizmin tradicional internacionalist amerikan. Qe Pentagoni ai që mori iniciativën. Në vitet ’40, klasa drejtuese ushtarake e kuptoi se përgjegjësitë e reja dhe globale amerikane kërkonin një kuptim të thellë dhe realist të gjeopolitikës dhe të sigurisë ndërkombëtare. Besimi tradicional në mirësinë e shpirtit njerëzor dukej naiv përballë totalitarizmave barbare të Hitlerit dhe Stalinit.


Fillimisht mendimi realist amerikan është plazmuar nga emigrant europianë. Midis këtyre ndodheshin hollandezi Nicholas Spykman, gjermanët Hans Morgenthau e Henry Kissinger, polaku Zbigniew Brzezinski, austriaku Robert Strausz-Hupé dhe italo – rumuni Edward Luttwak. Këto figura e mësuan Amerikën që ta perceptojë botën në termat e politikës së fuqisë dhe të forcës ushtarake. Politika e sigurisë kombëtare amerikane gjatë Luftës së Ftohtë u informua ndjeshëm nga realizmi i tyre.


Tradita vazhdon. Europianët që studiojnë politikën e fuqisë dhe strategjinë gjenden në pjesën më të madhe në Harvard, Yale, Stanford, gjithnjë e më pak në universitetet europiane. Sot janë europianët ata që kalojnë Atlantikun për të mësuar nga institucionet amerikane.


Qysh nga vitet ’40, mendimi realist ka mundur të zhvillohet lirisht dhe pa zgjidhje vijueshmërië në akademitë dhe në think tank-ët e Përtejoqeanit. Përveçse janë të financuara nga Pentagoni, donacione të rëndësishme private kanë siguruar fondet bazike për një infrastrukturë të tillë intelektuale. Rrjetet e dijes janë mbresëlënëse. Studiues të këtyre institucioneve mund të kalojnë disa vite në pozicione burokratike të rëndësishme, për t’u kthyer më pas në karrierën e tyre akademike.


Situata europiane bie në kontrast të fortë me praktikën amerikane. Pas Luftës së Dytë Botërore, liderë konservatorë si Adenauer e de Gaulle zhvilluan idealin e pajtimit e të integrimit continental falë një realizmi të kthjellët historic. Por në majin e 1968, gjenerata e re e pasluftës u ndesh me figura si këto, të perceptuara si demode. Për pasojë, u rrënjos një përbuzje e thellë sociale për politikën e fuqisë dhe për përdorimin e forcës së armatosur.


Deri kur ombrella ushtarake e bërthamore e Shteteve të Bashkuara e ka mbrojtur Europën nga konfliktet ndërkombëtare, popullsitë e kësaj të fundit kanë mundur që ta injorojnë në një masë goxha të madhe gjeopolitikën dhe strategjinë. Është gërryer kështu vetëdija e kthjellët e historisë së gjatë e të përgjakshme e Kontinentit të Vjetër. Universitetet progresiste europiane kanë promovuar analiza gjithnjë e më abstrakte dhe teorike të konfliktualitetit. Midis akademikëve, rëndësia politike e punëve të tyre deri është shpërfillur për një kohë të gjatë.


Tentativat e qendra studimore europiane për të mbushur hendekun kanë pasur një sukses vetëm të pjesshëm. Organizatat më serioze të Brukselit janë për më tepër në shërbim të procesit teknokratik të bashkëpunimit europian. Disa prej tyre janë jashtëzakonisht të varura nga fondet publike dhe shpesh janë të kufizuara në projekte të ndryshme nga vija drejtuese që aderojnë në vizionet politike periferike.


Elitat aktuale europiane janë fuqimisht të plazmuara nga ideale progresiste. Pjesa më e madhe e liderëve europianë preferon akoma t’i injorojë analizat e “ashpra” gjeopolitike, që tentojnë të jenë jokomode. Çinteresimi europian ndaj shpenzimeve luftarake duket si efekti kolateral i një vetëdijeje sociale relativisht e kufizuar e politikave të sigurisë. Londra dhe Parisi përbëjnë një përjashtim, por vizionet më influente në nivel gjeopolitik dhe ushtarako – strategjik vazhdojnë të vijnë nga Uashingtoni.


Difektoze në realizmin historik, Europa bëhet gjithnjë e më pak e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara. Pavarësisht se liderët e saj shpesh i dëgjojnë mendimtarët strategjikë e Përtejoqeanit t’u shpjegojnë politikën botërore, nëpër universitetet dhe nëpër qendrat studimore amerikane vërehet një çinteresim në rritje për çështjet europiane. Mungesa e një dialogu euro – amerikan autentik dhe paritar vë në diskutim të ardhmen e aleancës atlantike.


Nëse Europë synon vërtet që t’i mbrojë fatet e saj, atëhere do t’i duhet ta ekuilibrojë idealizmin e saj me një dozë të mirë realizmi. Europianët duhet të zbulojnë formë të veçanta analizash strategjike dhe realpolitike. Historia e gjatë e kontinentit jep një pikënisje të rëndësishme. Europa mund të mësojë shumë nga mënyra me të cilën mendimi strategjik i pavarur inkurajohet në Shtetet e Bashkuara.


Sidomos në kohët e “America First”, interesi amerikan dhe ai europian nuk janë gjithmonë në sinkron. Nuk do të ishte e arësyeshme për europianët që t’i besonin verbtazi forcës ushtarake dhe mbështetjes politike të Uashingtonit. As edhe influenca e realpolitikës amerikane nuk është gjithmonë në interesin e Europës.

 

Republika Plus