Dhuna si mjet edukimi

OpEd24.04.2016 12:13
NAILE EJUPI

Pamje të ngjajshme të ushtrimit të dhunës ishin edhe disa javë më parë në një shkollë të Rahovecit, në të cilën shihet mësimdhënësi duke rrahur një nxënës. Sado që vitin e kaluar numri i rasteve të dhunës në shkolla kishte shënuar rënie duke regjistruar  112 raste, këto pamje  të krijojnë menjëherë frikë, pasiguri për fëmijët si dhe shfaqet   një dukuri mjaft shqetësuese për shoqërinë në tërësi.


Ligji i Ministrisë së Arsimit, për Arsimin Parauniversitar thotë se të gjithë personat e punësuar në institucione arsimore nuk kanë  të drejtë që nxënësit dhe punonjësit t’i lëndojnë apo t’u drejtohen me fjalë fyese. Ndërsa sipas  hulumtimit të KIPRED në disa shkolla të Mitrovicës, dhuna verbale mbetet një fakt shqetësues. Sipas intervistimit të nxënësve, ata tregojnë se në shumë raste ofendohen nga mësimdhënësit e tyre e që shkakton dhunë psikologjike. Fjalët ofenduese që përdoren nga ana e mësimdhënësve janë: i hupt, qorr, gomar, kryemadh, kafshë, dreq, hajvan, maniak, lopë, rrugaç, idiot, kokëbosh, pis, gogol. Përveç që nuk është etike dhe joedukative që një njeriu t’i drejtohesh me këso lloj fjalë fyese është edhe një ‘mësim i keq’ për nxënësit t’i dëgjojnë fjalë të tilla, kjo sepse marrin shprehje të tilla dhe i përdorin ato qoftë mes veti qoftë në shoqëri. Me këtë bie në kundërshtim edhe misonin i mësuesit, pra edukimi i nxënësve.


Derisa ligji i lartëcekur ndalon çfarëdo forme të dhunës, qoftë në shkolla publike apo private, dhuna vazhdon të shfaqet përmes formave të ndryshme duke regjistruar shifra alarmante të cilat mund të shndërrohen në dukuri negative për tërë shoqërinë kosovare. Sipas raporteve policore, vitin e kaluar ishin regjistruar 112 raste të dhunës, kurse në vitin 2014 shifra e rasteve ishte 481.


Ndërsa në anën tjetër në një klasë të mbushur me rreth 35 nxënës, shumica e mësimdhënësve ndonjëherë si masë ndëshkuese ndaj sjelljes së tyre shohin dhunën fizike apo verbale. Kjo sepse për masat ligjore ndëshkuese sikur suspendimi apo pezullimi i nxënësit nënkupton që pastaj të ligjërohet mësim special, e për mësim special shkollat nuk ofrojnë kushte.


Dhuna në shkolla vazhdon të shfaqet edhe përmes formave tjera si nxënës-nxënës, nxënës- kalimtar që hyjnë në oborret shkollore e raste të tjera përmes përleshjeve ndërmjet grupeve për arsye nga më të ndryshme. Vetëm në vitin 2013 në raportet e Policisë së Kosovës ishin regjistruar 387 raste të dhunës, kurse një vit më vonë ishin regjistruar 511 raste. Para tetë viteve Ministria e Brendshme dhe ajo e Arsimit së bashku me organizatat ndërkombëtare në Kosovë kishin hartuar një plan strategjik kombetar për sigurinë në shkolla, por fatkeqësisht ky plan nuk ka filluar të zbatohet në praktikë. Në anën tjetër rastet e dhunës në disa raste kanë përfunduar me fatalitet . Vetëm në dy vitet e fundit kanë humbur jetën tre nxënës si pasojë e plagëve të marra nga përleshjet ndërmjet grupeve qoftë me armë zjarri qoftë me armë të ftoftë. Ndërsa Ministria e Arsimit së bashku me institucionet përgjegjëse vazhdojnë me ritëm të ngadaltë drejt zhdukjes së kësaj dukurie negative.


Ministria e Arsimit duhet sa më shpejt të ndërmarrë masa  që të bëjë ndonjë plan konkret për eliminimin e rasteve të dhunës. Organet përgjegjëse duhet që të reagojnë në mënyrë të duhur në rastet e incidenteve gjithashtu shkollat duhet të kenë  bashkëpunim me Qendra për Punë Sociale, shërbimet korrektuese, policinë, prokurorinë, gjykatat dhe prindëritë. Shkollat duhet ta respektojnë më shumë “Kodin e mirësjelljes” gjithashtu ajo duhet të kujdeset që liria dhe siguria e nxënësve nuk do të rrezikohet. Pastaj shkollat duhet të krijojnë kushte për kultivimin e kulturës së debatit ndërmjet mësimdhënësve dhe nxënësve për të bërë të mundur zgjidhjen më të shpejtë dhe më të lehtë të problemeve të përditshmërisë së shkollave. 

Lajmet më të lexuara

Republika Plus