Vizita e Juncker-it në Rusi sjell përçarje dhe kritika në BE

Lajme31.05.2016 15:04

Presidenti i KE-së është një nga partizanët e normalizimit të marrëdhënieve me Rusinë.


Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker do të vizitojë Rusinë muajin e ardhshëm, por ky vendim nuk është pritur mirë brenda Bashkimit Europian. Ai pranoi që të marrë pjesë në një ngjarje me natyrë ekonomike, por kjo ka sjellë kritika, për shkak të marrëdhënieve të tensionuara të Brukselit dhe Moskës. “Presidenti Junvker është ftuar dhe ka planifikuar të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Pjetërburg, më 16 qershor, për ta shfrytëzuar këtë mundësi për përçimin te drejtuesit rusë apo edhe tek audienca e gjerë e interesuar, perspektivën e BE-së në lidhje me gjendjen aktuale të marrëdhënieve BE-Rusi”, ishte njoftimi i zyrës së shtypit të KE-së. Ata që shprehën pakënaqësinë pas këtij vendimi janë zyrtarët europianë, të cilët kanë ndjekur vijën e ashpër të ruajtjes në fuqi të sanksioneve ekonomike, që BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë vendosur Rusisë që prej vitit 2014, për shkak të aneksimit të Krimesë dhe mbështetjes së rebelëve në Ukrainë. Ndërkohë, ish-kryeministri i Luksemburgut, ka bërë thirrje për një “marrëdhënie praktike” me Moskën. Por zyra e shtypit të KE-së qartësoi se Komisioni, që ka funksionin ekzekutiv në BE, ndan plotësisht parimet kryesore të qasjes ndaj Rusisë, të rëna dakord nga të 28 qeveritë anëtare të bllokut. Vizita e ardhshme mund të shfrytëzohet nga drejtuesit rusë për të hedhur bazat e një pajtimi me unionin. Por ministrat e Jashtëm të BE-së theksuan në mars se, ndryshimi i sanksioneve kushtëzohet me një akord paqeje në Ukrainë. Ata bënë thirrje për përmirësim të mbrojtjes kundër kërcënimeve të ndryshme nga Rusia. Megjithatë, ata mbështesin gjithashtu angazhimet selektive me Rusinë dhe nevojën për t’u angazhuar në kontakte kokë më kokë. Juncker ka ngjallur debate me veprimet e tij në tetorin dhe nëntorin e shkuar, ku ai tentoi të ulte tensionet mes Rusisë dhe BE-së. Situata është e acaruar mes të dyja palëve, ndërsa Rusia ka kritikuar vendimin e NATO-s dhe SHBA-së për të aktivizuar mbrojtje raketore në Rumani. Për më tepër që nga drejtuesit rusë, nuk u prit aspak mirë ftesa që vendet e aleancës i bënë Malit të Zi, për ta bërë pjesë të NATO-s. Historikisht Mali i Zi ka qenë aleat i Rusisë. Por nga ana e tij, edhe Presidenti Putin po ndërmerr disa masa. Të premten ai vizitoi Greqinë, ku qëndroi 48 orë dhe ku diskutoi për projekte energjetike, si dhe investime të tjera të fuqishme. Shteti helen, që në vitet e fundit ka vuajtur si pasojë e masave kursimtare ekonomike, ka pasur lidhje të forta të hershme me shtetin rus. Edhe kur unioni vendosi sanksione të ashpra ndaj Rusisë, Greqia kërkoi që të mos shkohej deri në këtë situatë e më pas që ato të lehtësoheshin. Bisedimet mes palëve u ndalën në tregti dhe investim, në veçanti në energji dhe transport. Synimi rus është ta joshë Greqinë e ta kthejë në një superfuqi energjetike rajonale. Putin propozoi ndërtimin e një gazsjellësi të ri, përveç TAP-it që ka nisur punimet. Por ai synon të bëjë privatizime dhe blerje të aseteve shtetërore, duke shtuar kontrollin në shtetin helen. Në aspektin politik, Putini sheh te Greqia urën lidhëse me BE-në dhe NATO-n, pasi Moska kërkon fillimin e një dialogu me Brukselin për një sërë çështjesh, që nga thjeshtëzimi i procedurave për vizat e qytetarëve të saj, deri në krijimin e një aleance energjetike.

 

Lajmet më të lexuara

Republika Plus