Thaçi zbërthen konceptin e tij për korrigjimin e kufirit me Serbinë

Lajme14.08.2018 21:56

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zbërthyer konceptin e korrigjimit të kufirit, ndërsa është shprehur se për çdo marrëveshje e cila do të nënshkruhet në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit, do të vendosin qytetarët e Kosovës përmes referendumit.


“Do të punoj fuqishëm që nëse nuk ka pajtueshmëri në Kuvendin e Kosovës që fjalën përfundimtare ta thotë vetë qytetari i Kosovës, me vullnetin e vet përmes referendumit. Vullneti i qytetarëve mbyllë çdo debat. Prandaj jam në favor që vetë populli i Kosovës ta thotë fjalën e vet për marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi”, ka theksuar Thaçi, për RTK.

 

Thaçi ka thënë se korrigjimi i kufijve eliminon bosnjakëzimin e Kosovës, pretendimin për “Republika Srpska” në Kosovë, për ndonjë autonomi të serbëve në Kosovë, gjithashtu atë të shkëmbimit apo të ndarjes së Kosovës.


“Korrigjimi i kufrit mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë nënkupton demarkimin prej 400 kilometërsh që janë mes Kosovës dhe Serbisë, që në një formë a formën tjetër, herët a vonë, kjo gjë duhet të ndodhë. Tash kemi edhe institucionalizimin e kërkesës së liderëve të Luginës së Preshevës për bashkangjitje me Kosovën. Prandaj unë mendoj që do të ishte me interes që kjo çështje të diskutohet dhe jam zotuar para tyre se do ta shtroj në tavolinën e bisedimeve në Bruksel. Nëse arrihet një marrëveshje e përbashkët, e vullnetit të mirë mes palëve, atëherë askush nuk do të mund të jetë kundër në një process paqësor, as SHBA as BE e as NATO”, ka thënë Thaçi.


“Tash korrigjimi i kufijve eliminon bosnjëzimin e Kosovës, pretendimin për ‘Republika Srpska’ në Kosovë, për ndonjë autonomi të serbëve në Kosovë, gjithashtu atë të shkëmbimit apo të ndarjes së Kosovës, por edhe e thyen këtë status-quo që e kemi aktualisht, që për ne po paraqet regres, sepse jemi të penguar në përpjekjet tona, apo duke u vonuar shumë për t’u antarësuar në NATO, BE dhe OKB”, tha presidenti Thaçi. 

Republika Plus