Thaçi nga Shkupi: Marrëveshja me Serbinë mund të shtyhet, por do të ketë kosto të madhe

Lajme12.09.2018 13:42

 
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka mbajtur sot një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev.

Atje Thaçi deklaroi se Kosova është unike sa i përket dialogut me Serbinë. Ai shtoi se Bashkimi Evropian nuk mund të pranojë në gjirin e vet vende me probleme të hapura, andaj sipas tij kjo është një shtyesë që këto negociata për normalizimin e marrëdhënieve të vazhdojnë.

“Kosova është unike sa i përket dialogut. Të gjithë e dijnë që pa dialog dhe pa negociata me Serbinë nuk do të mund të arrijmë marrëveshje paqësore me Serbinë. Sot BE-ja është duke u moderniuar por edhe ka hapur dyert për ne. Por BE-ja nuk pranon në gjirin e vet vende me problematika të hapura”, ka thënë Thaçi.

Tutje, Thaçi ka thënë se negociatat me Serbinë do të intensifikohen në të ardhmen, mirëpo se një gjë e tillë do të ketë kosto të madhe.

“Ne veç kemi filluar të diskutojmë, negociatat do të intensifikohen në të ardhmen, një marrëveshje mund të shtyhet por do të jetë me një kosto të madhe. Marrëveshja do të jetë e një kompromis të debatueshëm në Kosovë e Serbi”, ka thënë ai, shkruan lajmi.net.

Thaçi ka përmendur edhe demarkimin e kufirit me Kosovën.

“Duhet të jemi realistë, duhet përmbyllet procesi i Demarkimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë e që është rreth 430 kilometra. Marrëveshja do të jetë e frymës evropiane dhe e koordinuar në plotëni me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian.  Në këtë drejtim do të kemi një proces kompleks, në të cilin do të ketë debate dhe refuzime jo të lehta”, ka shtuar Thaçi.

Presidenti i vendit ka folur edhe për rezolutën e propozuar nga përfaqësuesit e Luginës, për bashkim me Kosovën, ku ka thënë se e mbështetë fuqishëm një rezolutë të tillë, ndërkaq që ka shtuar se Kuvendi i Kosovës do të vendosë në bazë të bindjes së partive politike

“Unë personalisht e mbështes fuqishëm, në parlament janë partitë dhe atyre u mbetet të deklarohen. Mirëpo unë do ta respektoj vendimin e Kuvendit të Kosovës. Në rast të një arritje të një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, procesi do të kalojë përmes një referendumi e pastaj në parlament. Pra do të vendosin qytetarët e Kosovës dhe nuk do të mund të pengohet nga asnjë grup apo individ”, ka përfunduar Thaçi.

Presidenti Thaçi po qëndron për një vizitë zyrtare në shtetin fqinjë.

Republika Plus