Sipas analizës së Ahmetit, vizat vështirë do të liberalizohen

Lajme14.09.2018 10:55

Në një analizë të publikuar në Facebook, kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka vlerësuar se konsensusi në Këshillin e Ministrave të BE-së për liberalizimin e vizave, do të jetë i vështirë për t’u arritur.


Në këtë analizë, Ahmeti ka vlerësuar se vendimi për vizat mund të shtyhet deri pas zgjedhjeve evropiane, transmeton Koha.net.


“1. Shumica e deputetëve të Spanjës, Greqisë dhe Qipros të cilat që nuk e njohin Kosovën si shtet, edhe shumica e deputetëve të Francës dhe Holandës kanë votuar kundër.


2. Deputetët e partive të djathta (ekstreme) të cilat udhëheqin me qeveritë e Italisë, Belgjikës, Austrisë dhe Danimarkës kanë votuar kundër.


3.Duke e marrë parasysh kontekstin e zgjedhjeve evropiane të majit 2019 dhe faktin se kemi telashe me 6 nga 10 shtetet më të mëdha të BE-së, tendenca mund të jetë që vendimi të shtyhet deri pas zgjedhjeve evropiane, kur BE do të jetë edhe më e ndarë dhe më e djathtë”, ka vlerësuar Ahmeti që këshillon qeverinë e Kosovës që urgjentisht të kontaktojë aleatët që kanë votuar kundër në Parlamentin Evropian.


“Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Integrimeve Evropiane duhet që urgjentisht të kontaktojnë qeveritë aleate dhe qeveritë e shteteve që na kanë njohur e që kanë votuar kundër për të kërkuar votën dhe sqarime. Partitë në Kosovë duhet të kontaktojnë urgjentisht partitë simotra në Rrjetet e tyre për të kërkuar mbështetje. Me Socialdemokratët evropianë nuk do të jetë fare problem por ne do t’i kontaktojmë për çdo rast”, ka shkruar Ahmeti në Facebook. 

Republika Plus