Selimi: Bashkëjetesa fetare në Kosovë, platformë për botën e jashtme (Video)

Lajme02.06.2016 14:29

Në ditën e fundit të Konferencës Ndërfetare, e cila për herë të pestë u mbajt në Kosovë e ku edhe mblodhi mbi 300 persona nga më shumë se 50 vende të ndryshme të botës, ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Jashtme, Petri Selimi, ka thënë për “Zërin”, se kjo konferencë i ka shërbyer mjaftë shumë Kosovës.


Sipas Selimit, me këtë është dëshmuar se Kosova ka një histori të saj të bashkëjetesës fetare e cila sipas tij, mund të jetë platformë e shtetit të Kosovës për botën e jashtme.

Ndonëse në këtë konferencë kishte edhe pjesëmarrës nga 5 vendet të cilat janë anëtare të BE-së e që nuk e kanë njohur Kosovën, Selimi thotë për “Zërin”, se jo vetëm këto 5 vende, por edhe shtete të tjera të cilat nuk janë anëtare të BE-së e që akoma nuk e kanë njohur Kosovën si shtet kanë qenë pjesëmarrëse.


Sipas Selimit, vetë prania e këtyre shteteve në Konferencën Ndërfetare do të thotë shumë për Kosovën pasi që sipas tij, gjatë këtyre tri ditëve janë krijuar mjaftë ura ndërlidhëse, pavarësisht faktit se shumë nga këto shtete nuk kanë kurrfarë interaksioni me Kosovën.


Selimi po ashtu ka thënë për “Zërin”, se e rëndësishme është që në këtë konferencë u dha një shembull shumë i mirë ku të gjithë përfaqësuesit e feve të ndryshme ishin pjesëmarrës.


Mbi të gjitha Selimi thotë se prania e këtyre përfaqësuesve në Konferencën Ndërfetare ndihmon shumë në dialogun e brendshëm.

 

Lajmet më të lexuara

Republika Plus