Ndërkombëtarët, kundër ridizajnimit të kufijve

Lajme11.08.2018 09:28

 

Pavarësisht paralajmërimeve të dy protagonistëve të dialogut Kosovë - Serbi (presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Aleksandar Vuçiq), se në kuadër të fazës finale do të diskutohet për korrigjim kufijsh, bashkësia ndërkombëtare po vazhdon ta kundërshtojë një opsion të tillë. Zyrtarë të Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë kanë bërë të ditur për gazetën “Zëri” se Britania nuk e mbështet në asnjë mënyrë një variant të tillë, shkruan sot Gazeta \"Zëri\".

Përkundrazi, në përgjigjen e kësaj Ambasade thuhet se ridizajnimi i kufijve mes Kosovës e Serbisë do të rezultonte me destabilizim. Në anën tjetër, edhe Ambasada Gjermane ka bërë të ditur se Gjermania vazhdon të  mbetet prapa qëndrimit që kishte, rrjedhimisht kundër ndryshimit të kufijve ose të shkëmbimit të territoreve.

Kurse teksa ka folur rreth dialogut Kosovë - Serbi zëdhënësi i Komisionit Evropian (KE),  Carlos Martin, ka vlerësuar se në mes të dyja vendeve duhet të bëhet një zgjidhje e përhershme, e cila do të nënkuptonte një zgjidhje realiste dhe të qëndrueshme në pajtueshmëri të plotë me të drejtën ndërkombëtare.

Republika Plus