Këta janë hapat e mbetur për liberalizimin e vizave

Lajme13.09.2018 13:58

  Pas votimit të Parlamenti Evropian për çështjen e vizave, Kosovës i mbesin edhe dy hapa drejt liberalizimit të plotë të vizave.

Pas këtij votimi të Parlamentit Evropian është konfirmuar mandati për fillimin e bisedimeve me shteteve anëtare të BE-së, në mënyrë që Kosovës t’i liberalizohen tërësisht vizat. 

Pasi që të përafrohen bisedimet në kuadër të grupit punues, çështja e vizave të Kosovës pastaj kalon në nivel të ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian, të cilët do të vendosin për këtë përmes votimit me një shumicë të kualifikuar.

Po ashtu është e domosdoshme që heqjen e vizave të Kosovës të japin pajtimin edhe dy institucione kyçe të BE-së që janë Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Ministrave të brendshëm të vendeve anëtare.

Pas këtij votimi, Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanj Fajon ka uruar qytetarët e Kosovës pasi Parlamenti Evropian votoi pro liberalizimit për Kosovën.

“Qytetarët e Kosovës një hap më afër udhëtimit pa viza në Evropë. E lumtur që morëm dritën e gjelbër nga Parlamenti Evropian për hapjen e negociatave me Këshillin për vizat. Tash lufta do të vazhdojë te qeveritë e BE-së. Nuk do të ndalemi”, ka shkruar Fajon, raporton më tutje "Zeri.info".

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka falënderuar Parlamentin Evropian për mbështetjen për të drejtën e lëvizjes së lirë për kosovarët.

“Urime qytetarë të Kosovës! Së shpejti do të lëvizni lirshëm në Europë. Falënderues ndaj të gjithë deputetëve dhe grupeve parlamentare, të të gjitha partive e shteteve anëtare, që në Parlamentin Europian e mbështetën të drejtën tonë për lëvizje të lirë”, ka shkruar ai në Facebook.

Kujtojmë se 420 deputetë kanë votuar për liberalizimin e vizave ndërsa 186 ishin kundër dhe 20 kanë abstenuar. 

Republika Plus