Koncert në rrënojat e Palmirës (Video)

Kulturë07.05.2016 18:43

Rrënojat e qytetit antik të Palmirës në Siri, dëshmitarë të dhunës së papërmbajtur të Shtetit Islamik, janë bërë sfond i një koncerti të drejtuar nga një dirigjent i njohur rus.


Valery Gergiev, mbështetës i flaktë i Presidentit Vladimir Putin, udhëtoi në qytetin sirian bashkë me orkestrën simfonike të Teatrit Marinski të Shën Peterburgut, ku ai është drejtor artistik.


Ai punon gjithashtu si dirigjent kryesor në Orkestrën Simfonike të Londrës dhe Orkestrën Filharmonike të Mynihut.


Forcat siriane të mbështetura nga sulmet ajrore ruse çliruan Palmirën nga i ashtuquajturi Shteti Islamik i cili në muajin korrik postoi në internet video ku shfaqej ekzekutimi i disa pengjeve në teatrin antik.


Në vitin 2015, Gergiev mbështeti Presidentin Putin lidhur me aneksimin e Krimesë dhe në 2008 performoi në kryeqytetin e Osetisë Jugore kur Rusia dhe Gjeorgjia ishin të përfshira në një luftë territoriale.


Një prej solistëve në koncertin e mbajtur në Palmira ishte violinçelisti Sergei Roldugin, mik i Putinit. Emri i tij u shfaq në dokumentet e Panamasë, ku identifikohej si pronar i kompanive “offshore”, shkruan tch. Shteti Islamik shkatërroi një numër monumentesh gjatë pushtimit 10 mujor të qytetit të Palmirës, i shpallur si trashëgimi kulturore nga UNESCO. Tempuj 2 mijë vjeçar e godina të tjera historike u reduktuan në rrënoja.

 

Republika Plus