“DokuFest”-i nis reflektimin

Kulturë04.08.2018 13:20

Ka nisur zyrtarisht të premten në Prizren edicioni i 17-të më radhë i filmit të shkurtër e dokumentar “DokuFest”.


Ky festival për nëntë ditë më radhë sjell një program maratonik filmash e punëtorish bashkë me mbrëmje muzikore e aktivitete të tjera.


Sivjet programi i festivalit ndahet në 6 kategori dhe përfshin 260 filma. Drejtori artistik i festivalit, Veton Nurkollari, është shprehur krenar për programin që po prezantojnë.


“Erdhi koha që t’ju mirëpresim të gjithëve në këtë vend të vogël të botës dhe në këtë qytet të bukur aq të dashur për zemrat tona, ku magjia e imazheve lëvizëse do të shpërndahet në tërë qytetin dhe ku hareja e ritmeve të muzikës do ti mbush zemrat e të gjithë atyre që vijnë ta dëgjojnë. Sepse ne kemi kaluar ditë dhe net të shumta duke shikuar filma dhe duke dëgjuar muzikë me qëllim që të sjellim tek ju dhe audienca jonë një përzgjedhje, me të cilën jemi jashtëzakonisht krenarë”, shkruhet në letrën e tij të mirëseardhjes, shkruan sot Gazeta \"Zëri\".



Filmat do të shfaqen në dhjetë kinema të ndryshme në gjithë qytetin, duke përfshirë edhe kinemanë unike të shtratit të lumit, si dhe kinemanë brenda Kështjellës së Prizrenit. Gjithashtu do të ketë edhe një “virtual reality cinema”, ku do të shfaqen pesë filma.


Duke u frymëzuar nga kënga e Velvet Underground “I’ll Be Your Mirror”, programi i “DokuFest”-it synon të shndërrohet në pasqyrë të botës ku jetojmë si një pikënisje të asaj se kush dhe çka jemi.


Kjo temë e reflektimit do të hulumtohet përmes kampanjës së festivalit, si dhe përmes një kombinimi të programit të filmave, të ekspozitave digjitale, të bisedave me artistë, të punëtorive dhe të performancave muzikore. Gjithashtu ky edicion ka kuruar një program shumë special për fëmijë “DokuKids”, me filma dhe punëtori, klasa vallëzimi dhe lojëra.


Një instilacion është vendosur në sipërfaqen e jashtme të një ndërtese në qendër të Prizrenit këtë vit, e krijuar nga artistja franceze Maotik, për të përkuar me temën reflektuese të këtij viti.


Çdo edicion i “DokuFest”-it ka në qendër një temë të caktuar rreth konceptit të së cilës shfaqen edhe filma, organizohen punëtori e mbahen diskutime. Tema që caktohet zakonisht është e një problematike globale që i preokupon shoqëritë, duke përfshirë këtu edhe shoqërinë tonë. Rikujtojmë se në vitin 2017 tema e festivalit ishte e ardhmja. Ai edicion dha një vështrim të guximshëm në pasiguritë dhe në shpresat e së ardhmes përmes një kombinimi të programit të filmave, të ekspozitave vizuale, të masterklasave dhe të bisedave të ndryshme.


Programi muzikor nuk do të mungojë as sivjet, përkundrazi ai vjen me një listë të gjerë artistësh dhe performancash speciale. Në tri skena të ndryshme, skenën “Andrra”, atë te kalaja dhe skenën te “Lumbardhi”, “DokuNights” vjen i guximshëm dhe mbulon një përzgjedhje të kujdesshme të artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë, nga ansambli “Saz’Iso”, këngëtarët legjendarë dhe interpretuesit virtuozë të sazeve shqiptare deri te reperi, artisti, poeti dhe aktivisti Mykki Blanco, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Pak para nisjes organizatorët kanë bërë publike edhe përbërjet e jurive të festivalit. Kategoria e dokumentarëve ballkanas do të vlerësohen nga Goran Devië, Tara Judah e Marina D. Richter, kurse ajo e dokumentarëve për ambientin nga Sali Shoshi, Elena Lazic dhe Davide Oberto. Filmat e “Human Rights” do të gjykohen nga Fatime Kosumi, James Berclaz-Lewis, kurse dokumentarët ndërkombëtarë nga Mette Hoffmann Meyer.


Sa i përket programit të dokumentarëve ndërkombëtarë, anëtarët e jurisë të cilët do t’i vlerësojnë këta filma janë: Nico Marzano, Ela Bittencourt, Anna Zamecka, Alush Gashi dhe Sérgio Gomes. Vlerësimi i filmave të shkurtër do të bëhet nga Pamela Pianezza, Ina Pira dhe Ali Asgari. Kategori e rëndësishme e “DokuFest”-it është edhe ajo e filmave kombëtarë e ata do të vlerësohen nga Ben Vandendaele, Elsa Demo dhe Petrit Halilaj.


Festivali nëntëditor karakterizohet me atmosferën e gjallë që krijohet në qytetin historik të Prizrenit duke tërhequr mijëra turistë ndërkombëtarë, si dhe vizitorë vendorë të cilët drejtohen e ndihmohen nga  rreth 150 vullnetarë, të cilët punojnë çdo vit për festivalin.


Përveç rëndësisë që ka për Kosovën në aspektin kulturor, festivali me mijëra vizitorë ka arritur të ketë ndikim të madh edhe në aspektin ekonomik jo vetëm për qytetin ku po organizohet, Prizrenin, por për gjithë Kosovën.  

Republika Plus