Artisti kosovar i efekteve vizuale në botën tredimensionale

Kulturë08.05.2016 19:13

Zhanri fantashkencë është i preferuari i tij. Efektet vizuale janë mjeshtëria. Ndërsa regjia, fushë e re në të cilën po e sprovon veten. Filmat si “Red Tail”, “Kon-Tiki”, “Ice Quake”, reklamat për “Nescafé”, parfumin “Armani Code” e shumë të tjera, janë vetëm disa nga projektet në të cilat artisti kosovar, Jeton Lakna, ka marrë pjesë.


Duke shfrytëzuar botën e pafund të teknologjisë ai arrin që imagjinatën ta kthejë në realitet. Këtë e ka bërë në filmin e animuar 3D që e ka titulluar “Alone”. Lakna, i cili ka studiuar në Kanada, për efekte vizuale, në klasën e artistit të njohur, Mark Benard, mëton që zhanrin e fantashkencës ta zhvillojë në Kosovë, shkruan sot “Koha Ditore”.


Për këtë ai ka nisur disa projekte. Ani pse jeton dhe vepron në Norvegji, qëllimi i tij është që dijen dhe përvojën e tij ta shpalosë në vendlindje. Gjithmonë duke i mbetur besnik zhanrit të tij të preferuar të filmit, duke mëtuar që atë ta zhvillojë edhe në Kosovë.


Me “Alone”, premiera kosovare e të cilit u dha më datën 26 të muajit prill, ai shpalosi një pjesë të asaj se çfarë di të bëjë.


Storia e një plaku kosovar, i cili shoqërohet me alienin që papritur bie në oborrin e tij, përcillet me pamje të bukura vizuale dhe personazhe të krijuara me profesionalizëm. Gjatë kësaj vizite në vendlindje, për gazetën ai shpalosi rrugëtimin e tij që nga formimi profesional e deri te projektet e fundit./koha.net

 

Lajmet më të lexuara

Republika Plus