Raporti në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Shtëpisë së Bardhë ka eskaluar. I pari i Qeverisë së Kosovës dhe këshilltari i Donald Trumpit për Siguri, Robert O’Brian, dje ne bisedë telefonike i kanë treguar njëri-tjetrit se çfarë e kanë ndërmend të bëjnë tash e tutje. O’Brian i ka treguar Kurtit që SHBA-ja nuk do ta ndihmojë ekonomikisht Kosovën, e gjithashtu i ka treguar se po shqyrtohet prezenca ushtarake amerikane në Kosovë

Gazeta Express

Dy ditë më parë, kryeministri i Kosovës kishte dështuar të përgjigjet në një thirrje telefonike që i kishte ardhur nga Shtëpia e Bardhë. Njerëzit e afërt të Albin Kurtit kanë deklaruar në media se thirrja kishte ardhur shumë vonë, ani pse sa vonë kishte ardhur ajo, prononcimet kanë qenë kontradiktore.

Sido që të jetë, biseda e realizuar dje, ka mësuar Gazeta Express, nuk ka prodhuar kurrfarë efekti që do të çonte në shtensionimin e raporteve.

“Në kërkesën e këshilltarit për Siguri Kombëtare, Robert O’Brian, për të hequr tarifën ndaj mallrave serbe, kryeministri Kurti është përgjigjur negativisht. Ai ka thënë se z. O’Brian që nuk mundet ta bëjë një gjë të tillë”, ka thënë një zyrtar i lartë i administratës amerikane, i cili ka njohuri për përmbajtjen e bisedës.

Ky zyrtar, ka vazhduar më tutje, i ka thënë Gazetës Express se po gjatë asaj bisede, këshilltari për Siguri Kombëtare i Donald Trump, ia ka bërë me dije kryeministrit Kurti që “SHBA-ja nuk do ta ndihmojë ekonomikisht Kosovën, nëse ai do të vazhdojë t’i mbajë tarifat. Qëndrimi është i qartë: Nëse Kosova po e dëmton veten ekonomikisht duke i mbajtur tarifat, as ne nuk do ta ndihmojmë atë”.

Ky zyrtar i ka thënë Gazetës Express se kryeministri Kurti edhe përkundër që e ka pasur shumë të qartë këtë pozicion të Amerikës, ai nuk është tërhequr nga qëndrimi i tij.

“Në bisedë e sipër Kurtit i është rikujtuar edhe prezenca e trupave amerikane në Kosovë. Këshilltari për Siguri Kombëtare i ka treguar kryeministrit të Kosovës se kjo prezencë është duke u shqyrtuar, gjithashtu”, ka treguar ky burim.

Gazeta Express ka mësuar që tashmë projektet që planifikoheshin të realizoheshin përmes MCC-së, Sfidave të Mileniumit, janë pezulluar. Bëhet fjalë për dhjetëra miliona euro.

Raportet e kryeministrit Kurti me të dërguarin special të presidentit Trump, Richard Grenell, janë tensionuar shumë kohëve të fundit, për shkak se i pari i Qeverisë së Kosovës nuk po dëshiron ta heqë tarifën ndaj mallrave serbe, sipas kërkesës amerikane.

Pas z. Grenell, z. O’Brian është i dyti zyrtar i lartë amerikan të cilin z. Kurti e ka kthyer prapa. /GazetaExpress/